Rinas, fierakja zbardh rrjetin e prostitucionit, tutori ia mbath me vrap

AKTUALITET


Deklaratat e dyshimta të një 30-vjeçare për arsyen e udhëtimit në Itali, bëri të zbulohet një rrjet i prostitucionit dhe trafikimit të femrave.

Ngjarja ndodhi në aeroportin e Rinasit, ku policia arrestoi tutorin e 30-vjeçares dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë, të përfshirë në trafikimin për prostitucion.

Policia kufitare në Rinas, pasi nuk është bindur nga deklaratat kontradiktore të një 30-vjeçareje nga Fieri lidhur me arsyen e lëvizjes drejt Italisë, ka bërë që ajo të ndalohet dhe të njoftohet seksioni kundër trafiqeve. Ndalimi i fierakes, ka trembur tutorin që e shoqëronte, shtetasin me iniciale E. Ç., 40 vjeç, i cili ka ikur me vrap nga aeroporti i Rinas. Arratia e tij ka zgjatur vetëm pak minuta pasi është ndaluar nga policia.

Pas hetimeve në lidhje me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë me iniciale A. Ç., R. Xh., dhe K. Q., të përfshirë në trafikimin dhe prostituimin e femrave.

Sipas dëshmisë së 30-vjeçares, këta persona e ka dhunuar sistematikisht, që ajo të pranonte të shfrytëzohej për prostitucion në Itali. Dërgimi i saj do të bëhej mbrëmjen e të shtunës, por plani u prish pas veprimit të policisë në aeroportin e Rinasit.

Policia vijon hetimet për kapjen e 3 personave të tjerë dhe zbardhjen e  plotë të rrjetit të prostitucionit.



Skip to toolbar