Pas PDK-së së Kadri Veselit edhe dy parti të tjera kanë depozituar kërkesën për rinumërim të votave në Kosovë pasi pretendojnë se ka pasur parregullsi gjatë procesit të numërimit. Bëhet fjalë për LDK dhe Nismën.
Zëdhënësi për mediat i Lidhjes Demokratike të Kosovës Besian Mustafa, ka konfirmuar diçka të tillë duke thënë se nga 840 mijë vota, 40 mijë vota janë të pavlefshme dhe prandaj kanë kërkuar rinumërim të votave.
Ndërsa anëtari i Kryesisë Qendrore të NISMA-së Socialdemokrate, Xhevdet Smakiqi ka theksuar se ka pasur një defekt teknik me formularët nga KQZ-ja dhe për këtë arsye kanë bërë ankesë në PZAP.
“Koalicioni NISMA-AKR-PD ka bërë ankesa që janë të regjioneve të ndryshme dhe vendvotimeve të ndryshme. Gjithashtu kemi ushtruar një ankesë që ka të bëjë me një lëshim teknik por që ka efekte të mëdha në saktësinë e numërimit të votave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, është fjala për një formular që KQZ ka lëshuar në përdorim. Në kemi jemi ankuar tek PZAP, që KQZ ta pezullojë numrin e votave për shkak të këtij formularin me defekt dhe të bëhet rinumërimi i të gjithë votave në nivel vendi” ka thënë Smakiqi.
Pas numërimit të 98.47 për qind të votave, PDK-ja është e treta në renditje me 21.25 për qind apo 167402 vota. VV-ja me kandidat për kryeministër, Albin Kurtin prin me 25.51 për qind, ndërsa LDK-ja ka 24.82 për qind.
Kandidati për Kryeministër Albin Kurti pas numërimit të votave deklaroi se do të shtrinte dorën e bisedimeve për një koalicion të mundshëm me LDK.