Kryeministri Rama sugjeron që gratë janë më dobishme në një vend pune se sa burrat, ndërsa vlerëson se qeveria që ai drejton ka më shumë gra sesa burra edhe për këtë arsye.
I pranishëm në forumin e dytë Rajonal me temë “Fund dhunës ndaj grave në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi”, kryeministri Rama tha se qeveria shqiptare ka bërë një rrugë të gjatë dhe të suksesshme mbi barazinë gjinore.
Sipas tij, nëse gratë e marrin përsipër ta bëjnë një punë, e përfundojnë atë me çdo kusht, ndërsa burrat thonë po dhe më pas nuk e bëjnë.
“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë përpara, sot kemi 50% të këshillave bashkiakë, që janë me përfaqësi grash dhe kemi pas sukses të arrijmë një ekuilibër perfekt. Në qeveri kemi më shumë gra se sa burra, 60% e pozicioneve drejtuese në administratën publike mbahen nga gratë. E gjitha kjo është një meritë, sepse nëse doni të flisni pa bërë asgjë, mund ta bëni me burrat të pranishëm, por nëse doni që gjërat të bëhen, është më mirë të zgjidhni gratë.
Burrat thonë “po”, por në fund nuk e bëjnë atë që duhet të bëjnë, dhe kur i pyet pse nuk e bënë fillojnë me një listë justifikimesh. Ndërsa gratë kur thonë “jo”, thonë se ndoshta nuk është mënyra e duhur për ta bërë, kurse po thanë “po”, sigurisht që do ta bëjnë. Kështu që, mendoj se jemi në vendin e duhur, por vetëm krahasuar nga pikënisja, por jo ku duhet të jemi”, është shprehur Rama.
Kryeministri gjithashtu premtoi se shumë shpejt qeveria do të miratojë një projektligj për dhunën e burrave ndaj grave. Ai tha se gratë që rrahin burrat, duhet të jetë një e drejtë e njeriut, ndërsa burrat dhunues do të përfundojnë në qendra rehabilitimi.
“Unë s’jam personi i duhur për të folur për atë që mendoj se ne fakt jam në minoritet por mendoj që gratë që rrahin burrat, duhet të jetë një e drejtë e njeriut, por sigurisht këto gjëra mund të shkojnë shume larg, por me rëndësi është të shkojmë në një nivel më lart me kuadrin ligjor dhe instrumentet që luftojnë dhunën në familje. Shpejt do kemi një propozim të rreptë sa i përket dhunuesve e autorëve të dhunës në familje.
Nuk mjafton thjesht të themi që shko denoncoje në polici. Duhet të jemi një mbështetje direkte. Mendoj që edhe burrat që janë të dyshuar se mund të bëjnë një gjë të tille duhet të largohen nga shtëpia e të izolohen. Ky është pikëvështrimi im, se ku dhe si kjo është një pikëpyetje shumë e madhe. Si mund ta gjejmë nëse doni të luftoni kundër burrave është e sigurt që do ta gjeni sugjerimet tuaja do jenë me vlerë thjesht gjeni mënyrën si do ta bëni. Shumë shpejt, një muaj e gjysmë do dalim me një propozim për të cilin po punojmë. Mund të jetë kontrovers por më mirë ta kemi si propozim se sa të qëndrojmë në vend numëro”, është shprehur Rama, i cili në fund të fjalës shtoi se më mirë të jesh në këtë konferencë kur flitet për luftën kundër dhunës ndaj grave sesa në parlament.