Lihen në burg tre të arrestuarit për vrasjen e 56-vjeçarit, ku gjatë një sherri fizik u rrëzua dhe i ra koka në gur duke humbur jetën. Gjykata e Vlorës vendosi burg pa afat për Agron Hametin dhe 30 ditë burg për dy të arrestuarit e tjerë, Astrit Hametin dhe Nusret Hodën.
Sherri nisi për një konflikt për pronat mes 4 personave, ku 56-vjeçari rrëzohet dhe godet kokën në gur. Goditja ka qenë fatale, pasi shtetasi Stavri Mino humbi jetën në vendngjarje. Autopsia e trupit të viktimës zbuloi edhe shenja dhune ushtruar nga 3 të arrestuarit, të cilët akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim.
Gjatë dëshmisë së tyre, 3 të arrestuarit dy vëllezër Hameti dhe i afërmi i tyre, deklaruan se nuk kishin për qëllim ta vrisnin dhe vdekja ishte aksidentale.