Rama: Negociatat i minoi opozita, dogji mandatet e braktisi Kuvendin

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama, teksa ka marrë fjalën në seancë parlamentare ka akuzuar opozitën se ajo ka minuar negociatat mes Shqipërisë dhe BE, për shkak se dogji mandatet e deputetëve dhe braktisi kuvendin. Rama gjithashtu akuzoi opozitën se ka lobuar në vende të ndryshme të Europës e veçanërisht në Holandë kundër çeljes së negociatave.

“Duke ndjekur debatin në parlamentin holandez kushdo që dëshiron të kuptojë se të gjitha fjalimet në parlament i janë drejtuar elektoratit të atij vendi dhe në të gjithë qasjen e parlamentit apo partive është përvijuar i gjithë debati i brendshëm me forcat pro zgjerimit dhe kundër. Nuk ka në Shqipëri një parti që të predikojë ndonjë plan tjetër apo të orientojë mesazhin drejt ndonjë horizonti drejt përveç BE-së. Nga ana tjetër ata që janë përpjekur të thonë se ndarja në propagandë apo në qëndrime mes Maqedonisë dhe Shqipërisë do të çojë në një ndarje në gjykimin e përgjithshëm jo vetëm kanë gabuar por kanë dështuar në përgatitjen e një terreni këtu në funksion të axhendës së tyre. Ka një ndryshim të madh për dallimin në qëndrime, qasja e opozitës këtu dhe atë jashtë.


Ata që braktisën parlamentin, dogji mandatet dhe bojkotoi zgjedhjet, vetëm me një qëllim minimin e çeljes së negociatave. Maqedonia nuk është vend pa konflikte, por ka frymëzuar edhe qasjen destruktive të opozitës që nuk është këtu, që në mënyrë naive e ka besuar se duke kopjuar opozitën e deri djeshme të Maqedonisë do të gjunjëzonte shumicën këtu. Por opozita në Maqedoni as dje dhe as sot nuk merr rrugët e Europës për të bërë të pabërën për vendin e vet. Nuk furnizon çdo ditë kanalet e komunikimit me partitë simotra apo individë për të ushqyer çdo ditë ata të cilët kanë një qasje ndryshe për Shqipërinë”, tha Rama.

Duke folur për negociatat Kryeministri e cilësoi familjen e Bashkimit Europian si një lojë të madhe interesash dhe se ky vendim nuk varet nga plotësimi ose jo i kushteve nga Shqipëria, por varet nga problemet e brendshme të unionit.

“Vendimi i Këshillit nuk ka lidhje fare, po fare me çfarë kemi bërë apo jo. Nuk mendoj se Franca qënkej më lart në këndvështrimin e saj ndaj të gjitha çështjeve ndaj të cilave Gjermania është më afër për arsye të standardeve të tjera. Thelbi qëndron në një situatë në BE që nuk ka lidhje me ne, ku ne përfshihemi si rrjedhojë, por jo si burim, si pasojë, por jo si shkak. Nuk jemi ne shkaku që BE nuk mban një qëndrim të prerë. Është vetëm çështje e qasjes ndaj BE-së në tërësi, ndaj procesit të zgjerimit dhe patjetër ndaj elektoratit të tyre. Qëndrimi i Francës nuk është qëndrim që në fund do të formësohet si funksion i ndonjë leximi më të thellë të situatës së brendshme këtu apo atje, fare! Fare! Por në funksion të strategjisë së re që ka Franca dhe Presidenti francez në raport me Europën. Kemi hyrë në lojë shumë më të komplikuar, kemi arritur në fazën ku po kërkojmë që të ngjitemi në një tjetër nivel të marrëdhënieve me një familje të madhe interesash. Dhe në atë familje të madhe interesash shikohemi në bazë të interesave”, është shprehur Rama në Kuvend.

Shpeshherë kryeministri ka sqaruar edhe më herët se vendimi i BE për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë nuk varet nga kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria, por varet nga debati i brendshëm i shteteve të Unionit. Rama ka thënë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet me kohë, por BE ka probleme të brendshme dhe sa herë afrohet data e negociatave ata shtojnë listën e kërkesave. Shqipëria pret këtë herë vendimin pro çeljes së negociatave me 18 tetor nga Këshilli i Europës, nisur edhe nga vendimi pozitiv i Bundestagut Gjerman i cili pritet të ndikojë edhe tek shtetet e tjera skeptike./realstory.al




Skip to toolbar