Disiplina rrëzon Tiranën. Gjobitet Flamurtari

AKTUALITET


Komisioni i Disiplinës Sportive në Federatën Shqiptare të Futbollit rrëzoi kërkesën e Tiranës për të fituar tre pikë në tavolinë të ndeshjes kundër Flamurtarit, luajtur në fundjavë.

Klubi bardheblu, kërkoi nga Disiplina dënimin e Flamurtarit, pasi në ndeshjen e javës së shtatë të kampionatit, skuadra vlonjate bëri një gabim në protokollin e ndeshjes, pasi u aktivizua një futbollist që nuk ishte shënuar në protokoll. Për këtë arsye, Tirana kërkoi tre pikë në tavolinë, për ndeshjen që përfundoi në barazim 2-2.

“Rrëzimi i kërkesës së KF “Tirana” si të pa bazuar në Rregulloren e Veprimtarisë Futbollistike, për sezonin 2019/2020”, shkruan disiplina në vendimin e publikuar të enjten. Ndërkohë, klubi i Flamurtarit për këtë gabim, duke shënuar me vonesë emrin e Muçollarit, është dënuar me 30.000 mijë lekë gjobë. 

“Flamurtari FC, për mos riprodhim të formularit të ekipit sipas Nenit 114/2 të Rregullores se Veprimtarise futbollistike të Kategorisë Superiore, dënohet me gjobë në masën 30.000 (tridhjetëmijë) lek”, thotë Komisioni i Disiplinës në FSHF.

Këto janë dy vendimet e vetme për ekipet e Superligës nga Komisioni i Disiplinës për javën e 7-të të kampionatit. Për Kategorinë e Parë, klubi i Devollit është dënuar me gjobë prej 50.000 lekësh për shkak ë sjelljes së gabuar të tifozëve, ndërsa klubi do të paguajë vetëm gjysmën e vlerës së gjobës. Gjithashtu, Disiplina dënoi me 8 ndeshje pezullim zëvendës trajnerin e klubit të Kastriotit, Gëzim Rama, për sjellje jo sportive ndaj arbitrit.



Skip to toolbar