Rezolutë, kundër influencës ruse

POLITIKË


Partia Socialiste ka bërë gati një rezolutë kundër ndërhyrjes së huaj në fushata dhe kundër lajmeve të rremeve. Hapi për përgatitjen e rezolutës është bërë vetëm pak ditë pasi Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të tillë.

Rezoluta e PE e miratuar të enjten më 10 Tetor 2019 ishte një dokument tepër i fortë “mbi ndërhyrjet e huaja elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare dhe Europiane”. Për këtë arsye, mazhoranca ka menduar që një dokument të përafërt ta propozojë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është deklaruar nga kreu i grupit socialist, Taulant Balla, i cili u shpreh se “ndërsa Paketa Antishpifje e miratuar nga Qeveria shqiptare dhe që pret miratimin në Kuvend është një hap i parë, i rëndësishëm për ta mbrojtur Shqipërinë nga dezinformomi”, do të propozojmë një Rezolutë në Parlament kundër ndërhyrjes elektorale të huaj dhe kundër lajmeve të rreme”.

“Bashkimi Europian po ndërmerr veprime kundër ndërhyrjes së huaj në fushatat elektorale dhe kundër lajmeve të rreme. Duhet që edhe në Kuvendin e Shqipërisë të mos vonojmë marrjen e masave të njëjta sikurse edhe nga BE”, deklaroi Balla.

Në tekstin e Rezolutës së PE përfshihen parashikime edhe për vendet kandidate për në Bashkimin Europian të Ballkani Perëndimor. Rezoluta “konsideron që BE duhet të punojë drejt zgjidhjeve praktike për të mbështetur dhe forcuar Median demokratike, të pavarur në vendet e fqinjësisë së BE-së dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidatë për anëtarësim në BE.

“Në fakt edhe Shqipëria regjistron një rast të rëndë të ndërhyrjes së huaj elektorale përmes financimit me burime nga kompani guaska, prapa të cilave ka prova se fshihet Rusia”, u shpreh Balla, duke kujtuar kështu akuzat ndaj PD-së dhe hetimet që po kryhet nga tre prokurori mbi deklarimet e rrema të Bashës, konkretisht në Shqipëri, SHBA dhe Skoci.



Skip to toolbar