Prej disa ditësh Turqia ka ndërmarrë një sulm fillimisht ajror dhe më pas me ushtrinë dhe forcat tokësore në verilindje të Sirisë ku ka hapur luftë ndaj popullsisë kurde atje.
Pjesa veriore e Sirisë, që aktualisht po sulmohet nga ushtria turke, kontrollohet prej disa vitesh Partia kurde e Bashkimit Demokratik (PYD) dhe Njësitë e Mbrojtura të Popullit Kurd. Po kush janë kurdët, dhe si u mbërrit deri tek ky sulm?
Kurdët janë një grup pakicash etnike, ende pa një shtet zyrtar. Para Luftës së Parë Botërore, ata jetonin si nomadë deri në shpërbërjen e Perandorisë Osmane, që u mori lirinë dhe i ndau në disa shtete-kombe. Sot ka rreth 25-30 milion kurdë. Shumica jetojnë në një rajon që shtrihet në pjesë të Turqisë, Irakut, Iranit, Sirisë dhe Armenisë.
Shumica e kurdëve, janë myslimanë sunitë. Por popullata kurde ka tradita të larmishme kulturore, sociale, fetare dhe politike, si dhe një larmi dialektesh. Kurdët nuk kanë pasur asnjëherë statusin e shtetit komb, përveç Irakut, ku ata kanë aktualisht një qeveri rajonale, të quajtur Kurdistani i Irakut.
Në disa zona, kurdët janë përpjekur të ruajnë identitetin e tyre, dhe të vazhdojnë të përballen me politikat diskriminuese dhe persekutuese. Për shembull, në Turqi, ata etiketohen shpesh si “turqit e maleve”. Atyre u ndalohet të mbajnë veshjet e tyre tradicionale, të flasin gjuhën e tyre, apo t’u vënë fëmijëve emra kurdë.
Kurdët janë pakica më e madhe etnike në Turqi, dhe përbëjnë gati 20 për qind të popullsisë.
Kurdistani përbëhet sot nga 5 rajone të ndryshme:Turqia juglindore, Siria verilindore, Iraku verior, Irani veriperëndimor dhe Armenia jugperëndimore. Në fillim të shekullit XX-të, kurdët nisën të punojnë me ngulm për krijimin e atdheut të tyre.
Në vitin 1920, Traktati i Sevres, e thelloi më tej shpërbërjen e Perandorisë Osmane, dhe bëri thirrje për një Kurdistan autonom. Tre vjet më vonë, pas përfundimit të luftës, aleatët perëndimorë i hodhën poshtë kërkesat për një shtet të pavarur kurd. Për pasojë, rajoni kurd u nda midis disa vendeve.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka pasur gjithnjë një qëndrim të ashpër kundër nacionalizmit kurd. Presidenti turk, e bëri të qartë se synimi i tij përfundimtar me operacionin e fundit, është të eliminojë Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një organizatë politike militante e majtë, me qendër në Turqi dhe Irak, që e ka luftuar shtetin turk për më shumë se 3 dekada.
Kjo ka shkaktuar krijimin e të një çare të madhe midis turqve dhe turqve kurdë. Turqia ka qenë prej kohësh e zemëruar me praninë e madhe kurde në verilindje të Sirisë, pranë kufirit me Turqinë. Ushtria turke po tenton të vërë nën kontroll zonat e menaxhuara më herët nga Forcat Demokratike Siriane.
Njëkohësisht, Ankaraja parashikon të krijojë një zonë tampon në veri të Sirisë. Ajo ka 2 qëllime kyesore: të largojë kurdët nga kufiri, dhe ta përdorë këtë zonë për të zhvendosur aty rreth 2 milion refugjatë sirianë, raporton CNN.