Atje ku dikur zhvilloheshin luftërat e kontinentit të vjetër, Papa Leoni XIV bëri thirrje për paqe dhe e paraqiti Europën si një shembull të pajtimit mes armiqve.
Në ditën e fundit të vizitës së tij katërditore në Francë, në qytetin Metz, At ii Shenjtë theksoi rëndësinë e Europës dhe i bëri thirrje asaj të angazhohet më shumë për paqen në kontinent, si dhe të mbetet e hapur ndaj emigrantëve.
“Sot, marrëdhëniet njerëzore, ashtu si edhe marrëdhëniet mes shteteve, po bëhen gjithnjë e më barbare. Fjala e dhënë s`ka më vlerë, përkundrazi, njerëzit mburren se gënjejnë dhe mashtrojnë. Europa mund t’i japë fund kësaj spiraleje falë respektit për njëri-tjetrin, të cilin ajo ka arritur ta kultivojë dhe ta ruajë, pasi gjatë tetëdhjetë viteve të fundit ka dëshmuar gjerësisht se është e mundur të mbrohen pikëpamje, kërkesa dhe interesa të ndryshme përmes takimit dhe dialogut, e jo përmes përplasjes”, u shpreh Papa.
Zgjedhja e Metzit për vizitën e Papës kishte një rëndësi të veçantë simbolike. Qyteti ka kaluar disa herë nga Franca te Gjermania dhe anasjelltas gjatë historisë së luftërave europiane. Sot, ai përfaqëson transformimin nga armiqësia në bashkëpunim mes dy vendeve. Vizita në Metz u shndërrua gjithashtu në një homazh për Robert Schumanin, një nga etërit themelues të Evropës së bashkuar.
Si ministër i Jashtëm i Francës, Schumani promovoi pajtimin franko-gjerman dhe bashkimin e Evropës. Papa e përmendi atë në fjalimin e tij, duke theksuar rëndësinë e rrëzimit të mureve që ndajnë njerëzit dhe shtetet. Leoni XIV paralajmëroi gjithashtu për rritjen e konflikteve dhe tha se e drejta ndërkombëtare dhe multilateralizmi janë kundërpeshat më të mira ndaj përpjekjeve për dominim. Ai kritikoi atë që e quajti “iluzioni i riarmatosjes”.
Këto qëndrime u interpretuan edhe si një kritikë ndaj politikës së administratës amerikane nën presidentin Donald Trump, veçanërisht për qasjen e saj ndaj angazhimeve ndërkombëtare, edhe pse kreu i Kishës Katolike nuk e përmendi drejtpërdrejtë presidentin amerikan. Papa e mbylli vizitën e tij duke e paraqitur Metzin si dëshminë e faktit që pajtimi është i mundur kur ekziston guximi për të thyer “zinxhirët e mllefit”.


