Propozimi i Finlandës për të izoluar refuzimin francez

AKTUALITET


Presidenca finlandeze e Bashkimit Europian, propozoi që të veçohet vendimi për Maqedoninë e Veriut, nga ai për Shqipërinë, në lidhje me hapjen e negociatave. Lajmi është dhënë nga agjencia Radio Evropa e Lirë, që raporton se propozimi është bërë nga ministrja e Finlandës, Tytti Tuppurainen, që kryeson takimin e ministrave të jashtëm të BE në Luksemburg.

Megjithatë, ministrja e Finlandës, pavarësisht propozimit, është shprehur se në “tërësi mbështesim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, megjithëse, shton ajo, “duhet pritur vendimi unanim i vendeve anëtare të BE”.

Në fakt, sipas këtij pohimi, Finlanda duket se është më fleksible në qëndrimet e saj, ashtu si Hollanda, që pavarësisht se është shprehur kundër fillimit të negociatave ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Megjithatë, ky propozim izolon Francën, që është e palëkundur kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për momentin, por që nuk lidhet me plotësimin e kushteve nga vendet kandidate.

Franca, propozon ndryshime në metodologjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, ndërsa në Komisionin Evropian janë përgjigjur se metodologjia mund të ndryshohet kurdo, por kjo nuk do të duhej të mbante peng vendimet për nisjen e negociatave.

Më herët, diplomatë të vendeve të Bashkimit Europian, janë shprehur se do të ishte zhgënjim një vendim kundër negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, Franca duket se nuk shqetësohet për këtë, pasi së pari kërkon reformimin e vetë BE-së, para se të mendojë për zgjerimin.

Franca është e vetme në këtë nismë, pasi shumica dërrmuese e vendeve të bashkimit Europian kërkojnë hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit, pavarësisht se kërkojnë të plotësohen disa kushte.

Në mbledhjen e tyre në qershor, ministrat miratuan konkluzionet për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke premtuar se do të marrin një vendim “jo më vonë se tetori i vitit 2019”.



Skip to toolbar