Një zonë me shkurre është përfshirë nga flakët në fshatin Mjekës, ku si pasojë e erës dhe barishteve të thata, zjarri rrezikonte të prekte Uzinën e Lëndëve Plasëse të Mjekësit.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy automjete zjarrfikësish, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit, duke eliminuar rrezikun ndaj Uzinës së Lëndëve Plasëse. Uzina e armëve që ndodhet pranë vatrës së zjarrit përmban lëndë shumë të rrezikshme dhe do të kishte pasoja të rënda nëse bie në kontakt me zjarrin. Uzina nuk është shumë larg vendit ku ra zjarri, ndërsa zjarrfikësit kanë hasur në vështirësi që t’i afrohen vatrës për shkak të terrenit të vështirë. Megjithatë, forcat zjarrfikëse, kanë mundur që të afrohen dhe të shuajnë flakët.
Në këtë uzinë edhe pse kohët e fundit janë bërë çmontime të shumta, ende ka brenda një sasi prej 150 ton ekzogjen dhe 3 ton barut i zi. Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura Shqiptare për eksplozivë. Kombinati ndodhet në fshatin Mjekës në rrethin e Elbasanit.
Ndërmarrja shtetërore ka prodhuar eksplozivë dhe propelante që nga viti 1962. Në vitin 1982 filloi prodhimin e eksplozivëve të fuqishëm me licencën e “BOFORS” në mjedise të reja dhe të përshtatshme. Janë gjithsej 6 uzina të vendosura në afërsi të qytetit të Elbasanit, që ndodhet rreth 50 km nga Tirana.