“Protestat u bënë ushqim për vendet armike”/ Çupi: Grumbullim amorf njerëzish

Më të fundit


Protestat e vazhdueshme qytetare kundër investimeve në Zvërnec dhe Sazan, të cilat kanë shënuar ditën e tyre të 17-të, janë analizuar nga analisti Frrok Çupi në “News Line” në ABC News si një tentativë për të destabilizuar Shqipërinë.

I ftuar në studio, Çupi u shpreh se ky tubim, i nisur fillimisht për kauza ambientaliste, u transformua shpejt duke u shndërruar në një grumbullim amorf njerëzish që po bllokojnë rrugët dhe aeroportet.

Sipas tij, këto protesta u bënë ushqim për vendet armike si Rusia, Kina apo Irani, të cilat aplikojnë luftën hibride për ta parë vendin tonë të rrezikuar.

Megjithatë, analisti theksoi se Shqipëria është e mbrojtur në rrugën e saj të përparimit, gjë që vërtetohet edhe nga reagimet e SHBA-së dhe BE-së, të cilat nuk i konsiderojnë këto revolta si faktorë që mund të lëkundin stabilitetin kombëtar.

Ai nënvizoi se ndërsa njerëzit po distancohen masivisht nga ky tubim që ka mbetur në ajër, vetë banorët dhe pronarët lokalë janë të lumtur dhe mirëpresin projektin e madh investues në Zvërnec.

“Një prej gjërave shumë interesante ishte fakti që Edi Ram është një nga liderët e pakët të Evropës, që përmend konceptin ribashkimin e Europës, e cila përmbledh jo vetëm nocionin, por edhe vlerat. Europa prej kohësh ka nisur që të shkojë në gjerësitë e veta. Koncepti i dytë që përmendi Rama dhe i kushtoi vëmendje, ishte fakti që Europa ka nevojë për pasuritë e këtij vendi, solli në vëmendje rrugën ‘Egnatia’. Tema e ditës është që të shfrytëzohen pasuritë e vendit, pa u futur duart e vendeve të tjera, si Rusia dhe Kina. Shqipëria ka qenë e rrezikuar nga lufta hibride.

Një gjë mund të kishin parasysh këta njerëz, që shteti shqiptar i ka institucionet e veta, por është diçka më globale. Shqipëria sot nuk mund të frikësohet, qoftë nga Irani apo vende të tjera, që e kërkojnë Shqipërinë të groposur. Ana tjetër është që Shqipëria ishte e rrezikuar, për ata që donin ta shikonin ta rrezikuar. Protestat u bënë ushqim për vendet armike. Kjo ishte një protestë që mbeti në ajër, nisi për ambientalizëm, për dy ditë u transformua dhe shkoi drejt veriut. Ia janë sulur një resorti që po ndërtohet në Velipojë, që është po aq i madh sa në Zvërnec.

Kjo protestë, është një grumbullim amorf njerëzish, të dëshpëruar dhe jo të lumtur, e gjithë bota ka të tillë. Kanë hyrë në një situatë shumë pa dritë, nga njëra anë po bllokojnë rrugët dhe aeroportet dhe nga ana tjetër kërkojnë që të bëjnë politikë. Ishte një tentativë, për ta destabilizuar përfundimisht Shqipërinë. Fakti që SHBA dhe BE, reaguan tregon që Shqipëria ndodhet në hartën e vlerave globale, të cilat nuk mund të preken për shkak edhe të superfuqive.

Shqipëria është e mbrojtur në rrugën e përparimit. Janë reagime reale. Protestat nuk merren në konsideratë nga BE dhe SHBA, si faktorë që mund të destabilizojnë vendin. BE e kishte dialogun me anëtarët e vet, që i thërret ta pranojnë Shqipërinë sa më parë në BE. Roli më i lartë për projektin e Zvërnecit, janë banorët dhe pronarët, ata janë jo vetëm të gatshëm, por edhe shumë të lumtur që po investohet në Zvërnec.

Këta që pengojnë në bulevard nuk dinë asgjë dhe po i shërbejnë një të keqeje shumë të madhe. Në vijim pres vigjilencën e njerëzve dhe që të informohen. Nga dita që ka nisur protesta e deri më sot, distancomi i njerëzve është shumë i madh”, tha Çupi.



Skip to toolbar