Deputetja që deklaroi shkëputjen nga Partia Socialiste të dielen, Marjana Koçeku ka bërë një reagim këtë të mërkurë që lidhet me Bajrajt në Shkodër.
Deputetja që ishte kryesuese e Listës së PS-së së Shkodrës në zgjedhjet e 11 majit të 2025, tashmë e deklaruar e pavarur, i ka drejtuar një mesazh publik Bajrave, duke deklaruar një betejë ballore me ta.
“Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”
Por vetë Bajrajt u distanucan prej këtij reagimi të deputetes. Avokati i familjes së Bajrajve, Sokol Tahiraj, thotë se Koçeku nuk ka asnjë provë për pretendimet e saj.
“Këto deklarata janë të pabazuara në prova dhe përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, reputacionit dhe të drejtave themelore të personave që ne përfaqësojmë. Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike”.
Deklaratën e deputetes, Bajrajt e kanë parë në kontekstin kërcënues dhe stigmatizues dhe kjo cënon prezuminin e pafajësisë, vijon avokati Sokol Tahiraj.
“Gjuha e përdorur në reagimin e saj publik nuk kontribuon në debatin demokratik dhe as në informimin e publikut, por krijon një klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj personave të përmendur, duke synuar dëmtimin e reputacionit të tyre dhe të familjeve të tyre”.
Avokati paralajmëron se po shqyrtohen të gjitha mjetet ligjore, përfshirë kallëzim penal, sipas tij, për çdo deklaratë që rezulton e pavërtetë.
