Ish mjeku personal i diktatorit Enver Hoxha ka folur mbi jetën që bënin njerëzit e Bllokut në kohën që ai shërbente si mjek në zonën më të mbrojtur dhe enigmatike të Tiranës. I ftuar në emisionin ‘Real Story” në News 24 , Isuf Kalo tha para gazetarit Sokol Balla se Blloku duket nga jashtë si “Parajsa’ në Tiranë, por në fakt brenda mbizotëronte një territor frike dhe kujdesi maksimal në çdo fjalë apo veprim që mund të bëhej. Në lidhje me faktin se a pati frikë të publikonte librin e tij “Blloku” dhe pse ishte i vetmi që foli për jetën që bëjnë në Bllok, Isuf Kalo tha se ai ka kaluar një pjesë të madhe të jetës në Bllok dhe se kishte parë shumë ngjarje e situata që mund të tregoheshin, edhe pse cilëson se ky libër nuk mban monopolin e të vërtetës.
“Blloku ishte mendësi e supermacisë së një kaste mbi njerëzit e tjerë. Nuk kam pretenduar që kam monopolin e të vërtetës, në këtë libër. Pres çdo këshille apo vërejtje. Ai është i bazuar në impresionon dhe përjetimet e mia. Në Bllok jetonin bllokistë edhe pse nuk lidheshin me zonën e Bllokut, ato kishin mentalitet të njëjtë. Por njëkohësisht brenda bllokut jetonin edhe një armatë e madhe njerëzish që i shërbenin bllokistëve, ku bëja pjesë dhe unë si mjek. Në paguheshim nga shteti, jo Blloku. Kisha perceptimin se blloku ishte një pjese Parajse në Tiranë, pasi ashtu dukej nga jashtë. Por në fakt ishte një territor ku mbizotëronte frika” tha Kalo
Isuf Kalo tha se ai vetë nuk kishte ndjerë frikë në Bllok, por ndroje se mos ndonjë fjalë apo veprim i tij mund të keqinterpretohej dhe në këtë rast frika shoqërohej me familjen dhe persekutimin e saj.
“Unë nuk u përzjeva në çështje politike të tyre, nuk mora asnjë post. Kjo ndoshta më la larg shigjetimit nga bllokistët. Megjithatë blloku ishte një ambient ku të gjithë dinin diçka për njëri-tjetrin dhe kishin frikën e njëri-tjetrit. Unë personalisht nuk kisha frikë, por droje se mos kishe bërë diçka që nuk duhej apo dikush mund të bënte interpretime të gabuar për atë që mund të bëja. Frika më e madhe ishte tek familja, jo individuale.” tha Kalo