Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis konfirmoi se Greqia është në favor të rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Greqia është në favor të rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm sepse e shndërron perspektivën në faktor stabiliteti në rajon, por edhe sepse është një shtysë për modernizimin e fqinjëve tanë dhe për zgjidhjen e çështjeve tona bilaterale”, tha Mitsotakis mbrëmjen e të martës në një deklaratë.
Lidhur me marrëdhëniet Greqi-Shqipëri, Kryeministri i Greqisë u shpreh se kërkon fqinjësi të mirë, por ai ka theksuar se parakushti i Greqisë për rrugën evropiane të Shqipërisë është respektimi i pakicave minoritare. “Si me të gjithë, me Shqipërinë kërkojmë marrëdhënie të mira fqinjësore. Sidoqoftë, parakushti për përparimin e përbashkët, për rrugën evropiane të Shqipërisë, është rë respektojnë pakicën greke dhe të drejtat e saj”, tha Kryeministri i Greqisë, duke përmendur edhe kërkesën për të shmangur thirrjet nacionaliste apo zgjidhjen e çështjes së kufirit detar.
Ndërkohë, Mitsotakis foli edhe për Marrëveshjen e Prespës me Maqedoninë e Veriut. Ai u shpreh se nuk ndryshon mendim lidhur me faktin se ajo marrëveshje është në dëm të Greqisë, por megjithatë, u shpreh se nuk do e çojë vendin në aventura.
“Unë ende besoj se Marrëveshja e Prespës ishte një marrëveshje negative për vendin tonë. Unë votova kundër, por sinqerisht paralajmërova grekët se çfarë nënkuptonte nënshkrimi i saj. Por, nuk do ta dërgoj vendin në aventura, pa rrezikuar ndonjë destabilizim, ne do të monitorojmë nga afër detyrimet e fqinjëve tanë”, tha Mitsotakis.