SHBA kritikon ashpër vendet e Bashkimit Europian që dolën kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në raportimin përpara Komitetit të Punëve të Jashtëme në Senat, i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer, shprehet se mosveprimi i Këshillit Europian lumturoi Rusinë dhe Kinën.
“Mosveprimi i Këshillit Evropian javën e kaluar rrezikon besueshmërinë e BE jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në të gjithë Evropën dhe globalisht. Duke mos njohur në mënyrë të qartë arritjet e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe vazhdimi i ngecjes së zgjerimit, Këshilli Europian u dërgoi një sinjal negativ aspirantëve të tjerë, se dera për në Evropë është e mbyllur”.
“Ai gjithashtu dobëson argumentet që pohojnë dobinë e miratimit të reformave të vështira dhe bërjen e kompromiseve të guximshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet rajonale dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit demokratik. Më në fund, krijon një boshllëk udhëheqës që Rusia, Kina dhe të tjerët janë më shumë se të lumtur për të mbushur”, tha Palmer.
Mathew Palmer shtoi se ky mosveprim i Këshillit Europian për të njohur progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, është zhgënjyes për Shtetet e Bashkaura të Amerikës.
“Jemi zhgënjyer thellësisht nga dështimi i vendeve anëtare të BE-së për të aprovuar hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë javën e kaluar në Bruksel. Edhe pse ne nuk jemi anëtarë të BE-së, ne jemi dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian më 29 maj se të dy vendet kanë bërë përparim të rëndësishëm të reformave, duke përmbushur kushtet e Këshillit Evropian dhe duke krijuar një themel të fortë për të vazhduar reformat gjatë hapjes dhe mbylljes së kapitujve të acquis”, thotë Palmer./Realstory.al/