Kryeministri Rama ka marrë pjesë në takimi vjetor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, me fokus të veçantë Ballkanin dhe investimet në rajonin tonë. Gjatë fjalës së tij Rama tha se Shqipëria është një ndër vendet më të mira për biznesin të investojë pasi ka taksa të ulëta dhe kosto më të ulët pune, por gjithashtu edhe rajoni i Ballkanit është një vend i mirë investimi. Gjatë konferencës Rama shtoi se çdo shtet duhet të thellojë reformat e veta për një investim më të mirë në rajon dhe krijimin e modeleve të suksesshme dhe ngritjen e urave lidhëse dhe komunikuese.
“Mendoj se nuk duhet të presim të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian, për të pasur modelin tonë të zonës Shengen. Nuk më bën sens që jemi kaq mbrapa në komunikim, veprime dhe liri në një hapësirë ku duhet të marrim pjesë, për të pasur një treg më të madh, për të pasur më shumë hapësira e mundësi. BE-ja po bëhet gjithmonë e më shumë si Ballkani, në sensin që është gjithnjë e më pak e parashikueshme. Pra, në këtë mjedis, do i thoja të gjithë njerëzve të pranishëm këtu, që kanë ardhur në Sarajevë për biznes dhe që i përkasin komunitetit të biznesit, ndër mjediset e ndryshme të paparashikueshme, ne jemi më i miri, sepse kemi taksa më të ulëta dhe kemi kosto më të ulët pune. Të investosh në Ballkan tani, në çdo vend të Ballkanit është vendim i mirë. Po lajmi i mire në tërë këtë proces është që njerëzit nga komuniteti i biznesit nuk po përballen me të njëjtat probleme dhe vështirësi që ne po shohim në nivel politik, për të rënë dakord, pavarësisht ideve të kundërta, kur flasim për krijimin e kësaj zone ekonomike, tregut të përbashkët.
Pra, mund të them që ajo që po ndodh me biznesin tregon qartë sa e rëndësishme është të bashkohemi si rajon dhe të sillemi si një entitet. Ndërkohë që BE-ja po mundohet të zgjidhë problemet e brendshme dhe të reformohet e të përmirësohet, pasi të ketë kaluar më të keqen, ne duhet të thellojmë reformat tona, jo vetëm në secilin vend, por edhe për rajonin, që është e vështirë dhe jo për të komplimentuar mikpritësin, por BERZH ka qenë shumë mbështetës dhe ne e shohim atë si një nga burimet që na mësojnë si të kapërcejmë vështirësitë kur flasim për krijimin e modeleve të suksesshme dhe ngritjen e urave lidhëse.” – tha Rama