Spiunia ruse Maria Butina u kthye të shtunën në Moskë, pas lirimit të saj nga një burg amerikan. Butina pranoi në gjyqin e saj në Uashington vitin e kaluar se ajo kishte punuar me një zyrtar të lartë rus dhe dy amerikanë të tjerë për të depërtuar në grupet konservatore amerikane dhe Partinë Republikane për përfitim të Rusisë.
“Unë nuk u dorëzova vetëm sepse e dija që thjesht nuk kisha të drejtë, thjesht nuk mundesha pasi kisha aq shumë njerëz që më mbështesnin. Faleminderit shumë! Ju e dini, siç e thashë një herë në një nga videot e mia, rusët nuk dorëzohen”.
Në një eveniment në vitin 2015, ajo madje arriti të pyeste Presidentin Donald Trump, atëherë kandidat presidencial, në lidhje me marrëdhëniet amerikano-ruse, duke e bërë atë të thoshte se mendonte se “do të shkonte shumë mirë” me Presidentin rus Vladimir Putin.
“Ajo nuk bëri asgjë të keqe, absolutisht asgjë të keqe. Ajo nuk ishte fajtore për asgjë dhe nuk bëri asnjë shkelje. Me të vërtetë nuk i bëri dëm askujt. Ajo nuk përbën një kërcënim. Është vetëm një vajzë, një e re. Ajo u përpoq të investojë rininë e saj, talentin e saj, në kontakte me njerëzit. Kjo është në të vërtetë normale. Është shumë normale”, thotë Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse.
Sipas dokumenteve të gjykatës amerikane, përpjekjet e Butinës, të cilat përfshinin pjesëmarrjen në ngjarje të organizuara nga Shoqata Kombëtare e armëve dhe të ashtuquajturat “darka miqësore”, u drejtuan nga Alexander Torshin, zëvendës guvernator i bankës qendrore të Rusisë me lidhje të ngushta me Presidentin Rus Vladimir Putin./VOA/