Tërheqja e njohjeve të Kosovës, Engel: Po punojmë kundër përpjekjeve të Serbisë

AKTUALITET


Kongresmeni amerikan Eliot Engel shprehet se ndryshimi i kufijëve midis Serbisë dhe Kosovës është një ide e gabuar. Kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësueseve për Marrëthëniet me Jashtë, dha një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se ndryshimi i kufijëve do të shkaktonte një reagim zinxhir.

“Kjo do të shkaktonte një reagim zinxhir që unë mendoj se nuk do të ishte pozitiv. Ne i dimë parametrat për Kosovën. Unë mendoj se ndryshimi i kufijve do të ishte një ide e gabuar. Mendoj se kjo nuk do të ishte një gjë e mençur”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Eliot Engel u shpreh se Serbia po bën përpjekje për të deligjitimuar Kosovën, duke bindur vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj, të tërheqin njohjet. Engel thotë se SHBA po punon kundër këtyre përpjekjeve të Serbisë.

“Serbia po bën përpjekje të forta për të deligjitimuar Kosovën. Ajo po përpiqet të bindë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që të tërheqin njohjet. Ne po luftojmë kundër këtyre përpjekjeve. Kështu që sa më i bashkuar të jetë vendi aq më mirë do të jetë për vendin”, tha ai.

Më tej, Engel shtoi se ai do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të ngushta me kombin shqiptar, ndërsa u shpreh se do të bashkëpunoj me këdo lider të Kosovës.

 “Por më lejoni të them se kam besim se Shtetet e Bashkuara, me nxitjen time si kryetar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, do të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të ngushta me kombin shqiptar, me popullin shqiptar dhe me njerëzit në Kosovë. Dhe sigurisht që unë jam i gatshëm të ndihmoj në çfarëdo mënyre që mundem, kështu që kushdo që zgjidhet, zoti Kurti apo dikush tjetër, unë do të ofroj ndihmën time”, tha ai.



Skip to toolbar