Të dehur dhe pa patentë, arrestohen 28 shoferë, 14 të tjerë nën hetim

AKTUALITET


Të paktën 42 shoferë janë vënë në hetim nga Policia e Tiranës, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Pas dy aksidenteve që i morën jetën tre të rinjve në kryeqytet javën e kaluar, Policia Rrugore nisi një aksion për parandalimin e këtyre aksidenteve.

Kështu, gjatë një jave, u arrestuan në flagrancë 20 shoferë për drejtim të mjetit në gjendjet të dehur. 8 të tjerë u arrestuan pasi u konstatuan se ishin të papajisur me leje drejtimi dhe në shkelje të rregullave të qarkullimit, si dhe 14 të tjerë janë hetuar në gjendje të lirë, po për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.


Ndërkohë, 223 drejtuesve u është pezulluar leja e drejtimit, nga të cilat 58 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 129 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 36 për shkelje të tjera. Blutë e Rrugores njoftojnë, gjithashtu, se janë proceduar për përdorim të telefonit gjatë drejtimit 271 drejtues, ndërsa janë vendosur në total 2700 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.




Skip to toolbar