Arta Marku i ka dorëzuar detyrën Kryeprokurorit të ri Olsian Çela, i cili u zgjodh të enjten nga Kuvendi me 101 vota pro. Çela, i cili do të drejtojë Prokurorinë e Përgjithshme për 7 vitet e ardhshme do e nis punën e tij pikërisht me çështjen e tërmetit dhe hetimet në lidhje me abuzimet që janë bërë me ndërtesat. Çela tha se populli kërkon drejtësi dhe shpreson që prokuroria të krijojë të gjitha mekanizmat e duhur dhe të veprojë ndaj padrejtësive në të njëjtin nivel që pret populli. Ai bëri edhe një vlerësim të punës së Arta Markut, ndërsa theksoi se tashmë vendi po hyn në një fazë të re edhe me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë.
“Transparenca është mënyra më e mirë për të rritur besimin e institucioneve dhe te publiku. Falenderoj dhe vlerësoj Markun për këtë punë në këto dy vite, në një fazë tranzicioni, ku vendi është përballur me mjaft probleme të mëdha. Ajo ka bërë më të mirën e mundshme. Tani hyjmë në një fazë të re, ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë. Prokuroria ka pësuar ndryshime rrënjësore, kjo kërkon një angazhim të ri dhe konceptim të ri si duhet të funksionojë ky organ. Kemi kapacitetet për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së BE, rezultatet e punës sonë kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Në këto kushte, unë mendoj se ka tashmë ka mundësi që Kryeprokurori mund të japë kontribut për t’u dhënë jetë ideve të reja. Sot ne ndodhemi në një fazë të vështirë, vendi po përballet me një krizë për shkak të ngjarjeve të fundit të muajit nëntor. Përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të jetë, spikasë në raport me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit kërkojnë drejtësi, dhe gjërat të bëhen konkrete. Është një rast që jemi në lartësinë e asaj që pret vendi dhe njerëzit presin. Do të gjejmë të gjithë mekanizmat për të arritur atë që populli pret në raport me prokurorinë. Çdo gjë nuk shkon vaj ndryshimet gjithmonë janë pozitive. Vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë” tha kryeprokurori i ri Olsian Çela.
Ndërsa Arta Marku, e cila drejtoi si Kryeprokurore e Përkohshme organin e akuzës për 2 vite, tha se ndihet e vlerësuar që drejtoi këtë institucion dhe uroi Olsian Çelën për detyrën e re.
“Ndihem e vlerësuar që drejtova Prokurorinë. Ishin dy vite të vështira për çdo magjistrat. Një falënderim të veçantë për mediat. Roli juaj i pazëvendësueshëm dhe na bën më të përgjegjshëm për detyrën tonë. Urime prokurorit të ri. Shumë e lumtur që detyrën ia pasoj një shoku tim të klasës”, deklaroi Marku.
Kuvendi zgjodhi të enjten Kryeprokurorin e ri me anë të një votimi të fshehtë, ku votoi me 101 vota pro kandidaturën e Olsian Çelës. Për Arta Markun Kuvendi ka votuar me 11 pro 22 kundra dhe 78 abstenim, e ndërsa për Fatjona Memçaj 8 kanë qenë pro, 16 kundër dhe 87 abstenim.