“Policia mblodhi 104 milionë lekë”, Veliu: Do ndihmojmë në hetimet e prokurorisë

AKTUALITET


Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi mirënjohjen dhe falënderimin ndaj forcave të policisë që u angazhuan në përballimin e situatës së rëndë të krijuar nga tërmeti. Veliu tha se punonjësit e policisë u bën pjesë e grupeve të kërkim-shpëtimit, duke rrezikuar jetën e tyre. Gjithashtu, Policia punoi në disa drejtime për të përballuar situatën emergjente.

Menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie me detyra konkrete, duke nisur nga: -përfshirja në operacionet e kërkim-shpëtimit; dhënia e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë; garantimi i rendit dhe sigurisë; disiplinimi i qarkullimit duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve; sigurimi i pronës së qytetarëve dhe ruajtja e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie. Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat special Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës ,Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit”, tha Veliu.

Më tej, Veliu tha se Policia e Shtetit është organizatë ligjzbatuese por dhe humane e solidare. Sipas tij, të gjithë Punonjësit e Policisë kontribuan duke mbledhur 104 milion e 350 mijë lekë, të cilat u depozituan në platformën e-albania, dhe do të përdoren për rindërtimin e shtëpive të shembura nga tërmeti.

“Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104  milion e 350 mijë lekë, e cila u depozitua ne platformën e-Albania. Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi”, tha Veliu.

Në përfundim të fjalës së tij, Ardi Veliu u shpreh se Policia e Shtetit do të punojë për të administruar provat dhe ndihmuar hetimet e Prokurorisë, për të çuar përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për shembjen e banesave.    

“Së treti, dua të bëj me dije për të gjithë qytetarët, por në veçanti për banorët e prekur nga tërmeti se Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë dhe në bashkëpunim me Policitë vendore, nën drejtim të Prokurorive përkatëse po fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit  për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze (qofshin biznesmenë  apo nëpunës të administratës)”, tha Veliu.

Në fund ai i bëri dhe një apel politikës “Prandaj apeloj për të gjithë ata që duan të bëjnë politikë apo që përbaltin punën tonë për interesa të caktuara, të tregohen humanë, siç janë punonjësit e Policisë dhe të përcjellin realitetin, pasi Policia e Shtetit i shërben komunitetit dhe askujt tjetër”, përfundoi Veliu.



Skip to toolbar