Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi është shënuar në aksin nacional Korçë-Maliq, në afërsi të fshatit Rrembec. Bazuar në të dhënat paraprake raportohet se drejtuesi i makinës ka humbur kontrollin, duke përfunduar në një kanal në anë të rrugës.
Për shkak të këtij aksidenti të rëndë, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për zbardhjen e shkaqeve. Sipas të dhënave jozyrtare, dyshohet se shoferi ka ndërruar jetë nga përplasja e fortë në kanalin që kishte anësore betoni.
“Më datë 07.12.2019, në aksin rrugor Korçë-Maliq, pranë kryqëzimit të fshatit Rëmbec, shtetasi M.B., 37 vjeç, banues në fshatin Orman, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka dalë nga rruga dhe për pasojë drejtuesi i mjetit ka ndërruar jetë”, deklaroi policia për këtë aksident.