Pelegrinazhi në malin e Tomorit, Policia: Kufizime në qarkullim dhe itinerare të përcaktuara

AKTUALITET


Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorit, i cili zhvillohet nga 18 deri më 25 gusht 2026.

Në një deklaratë për mediet, specialisti i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Berat, nënkomisar Lorenc Tanushi, tha se plani i masave synon “parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike”.

Sipas tij, janë planifikuar shërbime shtesë në të gjitha akset rrugore që të çojnë drejt malit të Tomorit, si dhe në ambientet e jashtme të Teqesë së Kulmakut.

Tanushi bëri të ditur se masat do të zbatohen nga shërbimet e DVP Berat, në bashkëpunim me FNSH Fier, Njësinë Operacionale për Sigurinë Rrugore, pushtetin vendor, PMNZSH-në, Spitalin Rajonal të Beratit dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.

Për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut, Policia ka përcaktuar itinerarin: “Hyrja e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut”.

Ndërkohë, për kthimin nga mali i Tomorit janë përcaktuar dy itinerare, përmes Bargullazit dhe Pronovikut, ose përmes Novajt dhe Bogovës, të dyja në drejtim të Poliçanit, Uznovës dhe më pas rrugës “Antipatrea”.

“Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës këshillohen të përdorin aksin rrugor Çorovodë-Gjerbës-Teqeja e Kulmakut dhe anasjellas”, njoftoi Tanushi.

Gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit, nga ora 06:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në disa akse, përfshirë Vlashuk-Kuçovë–Berat, Ura e Kuçit–Dimal–Berat, Berat–Mali i Tomorit dhe Berat–Çorovodë.

Gjithashtu, autobusët, furgonët me mbi tetë persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin Plirëz-Teqeja e Kulmakut-Mali i Tomorit.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve dhe pelegrinëve të respektojnë itineraret e përcaktuara, sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të policisë gjatë gjithë periudhës së pelegrinazhit.



Skip to toolbar