Kryeministri Edi Rama drejtoi mbledhjen e dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit pas tërmetit. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se të gjitha fondet që do të përdoren për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, do të jenë transparente. Ai tha se për këtë qëllim po krijohet një aplikacion i aksesueshëm nga të gjithë. “Po punojmë për një aplikacion për transparencën dhe besoj që në mbledhjen e ardhshme pas një jave do të prezantojmë. Kur të mblidhet komiteti do të prezantojmë. Këtu ka disa shpjegime për aplikacionin”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri Edi Rama shtoi se për nevojën e rindërtimit, po hartohet edhe një ligj i ri i veçantë. Ky ligj do të përfshijë çdo gjë që lidhet me rindërtimin. “Po përgatitet ligji special për rindërtimin për të krijuar një kuadër ekskluziv për të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me rindërtimin. Një draft të parë e kemi gati, po bashkëpunojmë me komisionin e ligjeve për ta çuar drejt miratimit. Këtu kemi se çfarë përfshin; banesa të reja, për rindërtim, rindërtimi i të shemburave, rimëkëmbja ekonomike, banesat nga donatorët. Kemi 386 dosje projektesh për rindërtim. Dosje për fondacionet dhe donatorët për të shkuar në mënyrë të organizuar”, tha Rama.
Gjatë mbledhjes së Komititetit të Rindërtimit, Kryeministri Rama ngriti dhe një shqetësim. Ai tha se janë shfaqur spekulant, të cilët po dëmtojnë me qëllim banesat e tyre, për të përfituar nga situata.
“Po i bien murit me vare se thonë do na bëjnë shtëpi të re. Shqipëria ka banesa që janë në situatë kritike më shumë se kaq. Programi bëhet për ata që kanë humbur strehën ose rrezikojnë jetën nga banesa e tyre. Këto janë shtëpi pak a shumë dhe ne vijojmë regjistrimin të atyre banesave që nuk i kemi bërë ende, ose regjistrimin e atyre që janë bërë pa të drejtë. Për qiratë, Bashkitë duhet të bëjnë kontratën që mos të vijnë dhe të thojnë “kemi rritur qiranë” dhe kontratën e garancisë që deri në maj 2021 marrim përsipër strehimin tënd”, tha Rama.