“Anti-shpifja”, reagon OSBE: E përmirësuam paketën, do ulim dhe nivelin e gjobave

POLITIKË


Pas publikimit të draftit final që pritet të miratohet nesër në Kuvend, ka reaguar zyra e OSBE, duke deklaruar se dy projektligjet për mediat janë përmirësuar ndjeshëm dhe që janë përshtatur me standardet ndërkombëtare, ndërkohë që vazhdon puna për zvogëlimin e nivelit të gjobave.

Reagimi ka ardhur nga përfaqësuesi për Lirinë e Medias në OSBE, Harlem Desir, i cili deklaroi se OSBE ka punuar ngushtë me kryeministrin Rama për rregullimet në projektligje.

“Ne kemi punuar me Kryeministrin Edi Rama dhe Qeverinë e Shqipërisë deri në minutën e fundit për të përmirësuar projektligjet për median dhe për t’i sjellë ato në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së. Shumë përmirësime në versionin e fundit të botuar sot në krahasim me projektligjet e mëparshme: detyrimet e regjistrimit janë eliminuar; masa mbrojtëse e përgjithshme lidhur me standardet ndërkombëtare të prezantuara (neni 4); janë futur kufij të rreptë për marrjen e përmbajtjes (neni 132); rregullimi i së drejtës së përgjigjes është përshtatur me nevojat e botimeve elektronike dhe është kufizuar për të shmangur keqpërdorimet (neni 53/1); atribuimi i ri i AKEP është eliminuar”, deklaroi Desir.

Sipas tij, puna do të vazhdojë për të zvogëluar nivelin e gjobave, dhe për miratimin e një instrumenti nënligjor të ardhshëm, në mënyrë që të garantohet që asnjë gjobë në disproporcion  nuk mund të vendoset për ofruesit e shërbimeve elektronike të publikimit.

“Zyra ime do të monitorojë nga afër zbatimin e ligjit i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të pengojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. AMA duhet të zbatojë ligjin në një mënyrë vërtet të pavarur”, përfundoi përfaqësuesi për lirinë e medias në OSBE.



Skip to toolbar