Gjigandi italian do të kërkojë naftë në Dumre. Firmoset marrëveshja

AKTUALITET


Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku dhe përfqësuesi i kompanisë italiane ENI, firmosën të premten marrëveshjen për kërkimin e hidrokarbureve në bllokun e Dumresë. Gjatë takimit të mbajtur për firmosjen e kësaj marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë italiane, Kryeministri Edi Rama u shpreh se kontrata është shumë e favorshme për Shqipërinë. Ai tha se ndryshe nga e kaluara, Shqipëria do të përfitojë shumë të ardhura nga kjo marrëveshje.

“Kompaninë e mirënjohur ENI, një histori e nisur shumë kohë më parë. U deshën 30 vite që sot të kishim një kontratë me ENI-n që nga vlera ekonomike, është më e mira dhe më e favorshme që është firmosur. I falenderoj miqtë italianë që janë treguar shumë të hapur dhe konstruktive ndaj kërkesës sonë për të pasur një kontratë për të pasur një përfitim të drejtpërdrejtë më të madh se kontratat e para për shtetin dhe të mirë-strukturuar”, tha Rama.

Gjithashtu, ai theksoi se kompania ENI do të ndihmojë edhe në rritjen e burimeve njerëzore në fushën e gjeologjisë dhe minierave, duke bashkëpunuar me Fakultetin Përkatës në Universitetin e Tiranës. “Ka pasur edhe një partner, që jo thjesht do të zbulojë naftë në Shqipëri, por do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore. Gjithashtu përfshirja e ENI-t te Pakti për Universitetin në një marrëdhënie me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave për të hapur mundësi për trajnime, mastera dhe kështu me radhë”, tha Rama.

Më tej, Rama tha se blloku i Dumresë ka një rezervë të konsiderueshme, duke e krahasuar me atë të Shpiragut në Berat. “Më vjen shumë mirë që e firmosim këtë kontratë sot edhe pse përkoi me një moment të vështirë, por ishte një këmbëngulje nga ana e ministres që u mor me negociomin për t’i sjellë miqtë italianë para vitit të ri dhe pastaj të fillonte puna me eksplorimet. Sipas të gjitha studimeve, blloku i Dumeresë ka një rezervë të konsiderueshme, ashtu si zbulimi në Shpirag është një arsye më shumë për të vijuar”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Në fund, sipas Ramës ky do të jetë një nga investimet më të rëndësishme të huaja në Shqipëri, nga një kompani që ka të ardhura më shumë se gjithë Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë.

“Bëhet fjalë për një tjetër investim të rëndësishëm të huaj në Shqipëri të një kompanie gjigante me të ardhura më të mëdha se gjithë PBB e Shqipërisë. Përtej vlerës monetare do të sjellë do të sjellë dijen dhe një bashkëpunim që do të rrisë cilësisht të gjithë hapësirën që mbulon ky sektor. Zbulimi i pritshëm do të kenë një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit. Jam i sigurt se do të gjejnë shumë naftë dhe përfitimi do të jetë i merituar edhe për ata”, tha Rama gjatë fjalës së tij në Kryeministri.



Skip to toolbar