Kryemadhi sulmon Mini-Shengenin: Iniciativë e nxituar që nxit konflikt

AKTUALITET


Për herë të parë tre vende të rajonit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po shtrojnë rrugën e bashkëpunimit duke lënë pas mosmarrëveshjet historike, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e sulmon këtë nismë të quajtur Mini-Shengen Ballkanik, duke e cilësuar atë, jo vetëm të nxituar por edhe që nxit konflikt.

Takimi i radhës i Mini-Shengenit zhvillohet në Tiranë gjatë të premtes (sot) dhe të shtunës, ndërkohë që Kryemadhi, përmes një postimi thekson se Mini Schengeni po përdoret nga Edi Rama për presion ndaj BE.


“Mini Schengeni Ballkanik pa Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është jo vetëm një iniciativë e nxituar, por ajo nxit konflikt dhe lë shumë dritëhije pas. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori Grenell pak kohë më parë kur theksoi se “ Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës”.

LSI është në mbështetje të çdo marrëveshjeje dhe bashkëpunimi që sjell stabilitet dhe rritje ekonomike, por që ky të jetë një proces i besueshëm ka nevojë emergjente për transparencë.

Nëse Mini Schengeni po përdoret nga Edi Rama për presion ndaj BE, ai duhet ta di mirë se perspektiva evropiane e Shqipërisë është e pazëvendësueshme. Kushtet e Bundestagut janë i vetmi udhërrëfyes që kanë qytetarët shqiptarë. Çdo shfaqje dhe propagandë tjetër vetëm dëmton rrugëtimin evropian të vendit!”, thekson Kryemadhi.

Mini-Shengeni Ballkanik synon të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis shteteve të Ballkanik, duke krijuar një treg të përbashkët ekonomik me synim përfitimin e mbështetjes nga BE.




Skip to toolbar