Pas sulmeve ndaj ndërkombëtarëve, Meta: Konflikti politik po largon shqiptarët

AKTUALITET


Përgjatë gjithë vitit presidenti Ilir Meta ka luajtur rol kyç në përplasjet politike, jo vetëm me qeverinë por edhe me ndërkombëtarët dhe institucionet e drejtësisë, të cilët i ka sulmuar në shumë raste, tashmë presidenti thotë se konflikti politik po shpopullon Shqipërinë dhe po largon shqiptarët, ndërsa thotë se është alarmuar kur ka parë shifrat e azilkërkuesve shqiptarë drejt BE-së. Por më shumë se çdo gjë, Metën e ka shqetësuar largimi i Agron Tufës, dhe mosreagimi i asnjë institucioni shtetëror.

“Shqetësimi më i madh është një tërmet i përditshëm që lidhet me hemoragjinë e vendit të pandalshme, që unë e quaj shpopullim. Ka qenë tronditëse të lexoja statistikat e muajit nëntor për azilin që tregonte një rritje shqetësuese në 16% nga janari në tetor të 2019 krahasuar me 2018. Në raport me Serbinë për 1 mijë banorë kemi 8.2 herë shifrën më të latë. Edhe largimi i Agron Tufës ishte lajm tronditës, që u kërcënua për shkak mendimeve. Tronditë ishte edhe mos reagimi i asnjë institucioni. Duhet të na bëjë të reflektojmë sa më shpejt se kjo humbje e besimit është përgjegjësi e këtij konflikti, që nuk mund të vijojë më për një Shqipëri pa shqiptarët. Politika duhet të reflektojë e para, pastaj shqiptarët. Shpresoj që ky fundviti dhe ky tërmet me shumë pasoja që na mësoi se më e rëndësishme se çdo gjë është jeta dhe shëndeti dhe është dashuria për njëri tjetrin të reflektojmë për një politikë të re, që drejton në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe që garanton llogaridhënie”, tha Meta për gazetarët në përfundim të aktivitetit të organizuar nga Avokati i Popullit për lirinë e medias, ku tha se liria e medias në vend është përkeqësuar dhe garantoi se do ta shikojë me vëmendje paketën anti-shpifje të miratuar nga Kuvendi para se të vendosë nëse do ta dekretojë ose jo.


“Do ta shoh me vëmendje, pasi janë ndryshime të minutave të fundit, do të shikojmë për të zbardhur të gjitha aktet dhe relacionet përkatëse dhe përgjigja do të jetë në kohën e duhur, e argumentuar dhe transparente”, tha Meta.




Skip to toolbar