Viti kur natyra vendosi të na mbyllë (përkohësisht) gojën!

OPINION


Nga Skënder Minxhozi

Sherr partish ka pasur kurdoherë. Nuk mbajmë mend një vit të qetë. Tërmete si ai i 21 shtatorit dhe sidomos i 26 nëntorit të këtij viti zor se kujtojnë edhe të rriturit. Natyra e vendosi ta bënte vetë bilancin e vitit 2019 për shqiptarët. I zhvlerësoi planet, ëndrrat, sfidat, mëritë, zënkat e krizat, duke i shkundur fort nga themeli.

Meqë është e modës që në ditët e fundit të dhjetorit të bëhen gjithfarë bilancesh (njëri prej tyre këto ditë rendiste edhe ëmbëlsirat më mira me kungul!!!), le të themi se tërmeti që rrënoi një pjesë të ndërtimeve në Shqipërinë e Mesme në nëntor, është ngjarja më e madhe, më dramatike dhe me pasoja më afatagjata, që la pas ky vit. Nëse mund ta përdorim frazën pa qenë cinikë, ishte një tërmet “për sot dhe për nesër”!

Viti nisi në traditën më të konsoliduar të politikës shqiptare: me sherr dhe kërcënime. S’ka qenë e vështirë të kuptohej se tenxherja që ziente gjatë vitit 2018, do të shpërthente së afërmi. Djegia e mandateve nga opozita parlamentare dhe nisja e një numri protestash të dhunshme, sfiduan rendin kushtetues, trembën të huajt (më shumë se shqiptarët), ulën qepenat e bizneseve dhe anulluan një pjesë të prenotimeve turistike për verën që po vinte.

Sikur të mos e kuptonte që ja kishte futur kot me punën e mandateve, opozita vendosi ta dorëzojë vullnetarisht edhe listën e bashkive që qeveriste në zgjedhjet e rradhës të pushtetit vendor, duke dalë krejtësisht jashtë sistemit. Një zbatim pikë për pikë i aksiomës “sa më keq aq më mirë”, por që në rastin konkret nuk doli ashtu siç pritej.

Viti 2019 është padyshim momenti kur njëra palë vendosi të marrë mbi shpinë edhe krizën e palës tjetër. Duke e goditur Ramën me çfarë u erdhi për dore, opozita e lehtësoi atë edhe nga njollat që objektivisht ka marrë mbi dopiopetin e qeverisjes. Viktimizimi i pushtetit, përmes zjarrit të shashkave e bojës që vishte muret e Kryeministrisë, ka qenë gafa më e madhe politike e vitit që po mbyllim, e që ashtu si tërmetet që pasuan më vonë, do të lenë pasoja afatgjata për PD e LSI.

Çdo pjesë muzikore serioze ka një uverturë, por ka dhe një finale. Dhe finalen filluam ta zbulojmë ngapak në shtator, kur tërmeti vendosi ligjin e tij të frikës mbi shqiptarët. Lëkundjet arritën madje të bëjnë edhe atë që s’ishte parë e dëgjuar: të pushojnë, qoftë edhe përkohësisht, sherret e partive. Tërmeti i mbylli gojën shqiptarëve sherrxhinj. Ky është i vetmi aspekt pozitiv i një ngjarjeje, e cila shkaktoi 51 të vrarë, qindra të plagosur dhe mbi 13 mijë të pastrehë.

Përmasat e tërmetit të nëntorit, janë dimensionet e sfidës që na pret në vitin 2020 ku po hyjmë. Nëse qeverisësit e vendit kanë dashur një axhendë paraprake pune, e kanë atë: shërimin e pasojave të tërmetit. Viti që vjen pritet të jetë momenti kur do të përballemi realisht me krizën e tërmetit, do të jetë trajektorja kohore kur do të prekim me dorë nga njëri cep në tjetrin përmasat reale të dramës që na ra mbi krye. E që i ka dhënë tashmë formë që në mëngjesin e 27 nëntorit, qeverisjes së të gjitha niveleve. A do dalim nga tuneli i tërmetit në 2020?! Urimi më i natyrshëm dhe më njerëzor është që t’ja dalim!



Skip to toolbar