“Milano, kryeqyteti i ri evropian. Ardhja dhe ikja e turistëve rritet nga java në javë, por në janar është e lehtë të takohen fytyra të njohura nga bota e futbollit. Inter vazhdon të punojë për të tashmen, por vizioni i “Nerazzurri” nuk është i kufizuar vetëm për sezonin aktual. Dje agjentë lojtarësh u vunë re në selinë e Interit”, kështu e nis prestigjiozja italiane “Gazzetta dello sport”, artikullin kushtuar mbrojtësit të kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, që tashmë është në listën e klubeve të mëdha.
“Emri më i nxehtë mbetet ai i Marash Kumbullës, mbrojtës grupmoshës 2000 që luan te Verona. Ai është në listën e klubeve të mëdha, jo vetëm italiane. Dje Gianni Vitali, agjenti i lojtarit, u takua me drejtuesit e Interit. Klubit i pëlqen shumë, gjithashtu për fleksibilitetin e tij taktik, por edhe sepse ai tashmë është lider i një mbrojtje me tre. Kumbulla, pra, nuk do të kishte probleme për të hyrë në skemat e Contes”, shkruan ndër të tjera media italiane.
Por nuk ndalet me kaq, pasi transferimin e Kumbullës te Inter në verë, media sportive e vendit fqinj e bën fakt të kryer. “Verona dhe Interi tashmë kanë një marrëveshje në parim për transferimin e tij gjatë verës. Skuadra që ka pronësinë e Kumbullës dëshiron 20 milion euro për transferimin e lojtarit”. Megjithatë, lojtari është në fokusin e klubeve të tjera të Premier League, Chelsea, United dhe Evertoni i Ancelottit janë tashmë në garë për lojtarin. Marash Kumbulla është një nga lojtarët më të talentuar shqiptarë për momentin. Vlera e kartonit të tij, sipas “Transfermarkt” shkon 10 milionë euro.