Ambasasdorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Yuri Kim, në pritje të marrjes zyrtare të detyrës në Tiranë, u takua me të dërguarin e DASH për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer. Sipas një njoftimi zyrtar të Ambasdës së SHBA në Tiranë, takimi është zhvilluar për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, ku fokusi ka qenë dëbimi i dy diplomatëve iranianë nga Tirana dhe tryeza e përbashkët e partive politike për hartimin e reformës zgjedhore.
“ZëvendësNdihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Veçantë për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer u takua me Ambasadoren Yuri Kim për të diskutuar qëndrimin e guximshëm dhe parimor të Shqipërisë mbi Iranin, si dhe lajmin pozitiv lidhur me përkushtimin ndërpartiak për të realizuar reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. SHBA krah Shqipërisë”, përfundon njoftimi i ambasadës.
Një ditë më parë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se kishte shpallur “non grata” dy diplomatë të ambasadës së Iranit në Tiranë. Ata dyshohet se kanë pasur lidhje me ish-komandantin e forcave “QUDS”, Kasem Sulejmani, që u vra në fillim të muajit janar nga forcat amerikane në Irak. Ndërkohë, dy ditë më parë, në një hap të papritur, katër palët politike kryesore në vend, u ulën së bashku për të diskutuar hartimin e ndryshimeve zgjedhore në Kodin Elektoral, duke dhënë sinjale të rëndësishme për zgjidhjen e krizës politike në vend. /Realstory.al/