Tirana bashkon Luginën e Preshevës, listë të përbashkët në zgjedhjet serbe

POLITIKË


Partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës konkretisht, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik kanë arritur të krijojnë për herë të parë një marrëveshje ku të bëhen bashkë dhe të përfaqësohen me një program në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Serbisë. Programi i tyre i përbashkët do të quhet “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” dhe shënon bashkimin e palëve për të siguruar një përfaqësim sa më të lartë dhe për të krijuar një pozicion sa më të fuqishëm prej zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje të përbashkët u bë në Tiranë mes përfaqësuesve të partive shqiptare të Luginës dhe pranisë së ministrit në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj.


Cakaj vlerësoi arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe theksoi se lista do të ketë në fokus ngritjen e shqetësimeve me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga arsimi në shqip, përdorimi i lirë e i hapur i simboleve kombëtare, si dhe rritja e përfaqësimit në institucionet shtetërore. Cakaj tha se Qeveria e Shqipërisë do të angazhohet pakursyer për të mbështetur listën e përbashkët të Luginës së Preshevës.

“Kjo marrëveshje është unike nëse shihet në rrafshin e zhvillimeve në tre vitet e fundit në Luginën e Preshevës. Sot për herë të parë në pluralizmin politik, PPD dhe disa parti të tjera kanë vendosur të bëhen bashkë. Marrëveshja e sotme është sa politikisht domethënëse. Nga pikëpamja kombëtar sot partitë kanë vendosur të tejkalojnë interesa personale duke u bërë një shembull i bashkimit të shqiptarëve. Ato janë bërë bashkë për të gjetur gjuhën e përbashkët për të mirën e shqiptarëve. Ata kanë vendosur një emër teknik me dy elemente. Ky është një kompromis që reflekton identitetin e Luginës së Preshevës.

Shqetësimet e shqiptarëve të Luginës janë edhe i qeverisë së Shqipërisë. Qeveria e Shqipërisë nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbështetur këtë projekt. Palët do të vazhdojnë të artikulojnë dallimet e tyre partiake, megjithatë i inkurajoj të gjitha palët të rrisin unitetin e tyre. Palët do të veprojnë si një trup i vetëm. Gjatë këtij viti ne kemi marrë një varg masash në shërbim të ndërlidhjen në Luginën e Preshevës. Si masë shtesë për të rritur ndërveprimin me Shqipërisë dhe Luginës kemi bërë kërkesën për hapjen e një konsullate të përgjithshme në këtë zonë. Në vrazhdën e kësaj fryme ne jemi duke punuar për finalizimin e projektit për fondin për Luginën e Preshevës. Si rrjedhojë e kësaj klime ne sot deklarojmë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare shqiptarët do të garojnë me një listë të vetme”, tha Cakaj.




Skip to toolbar