Komisioni Europian kërkon që qeveria shqiptare të rishikojë të ashtuquajturën “Paketa anti-shpifje” duke marrë parasysh të gjitha rekomandimet e tyre, pas kthimit të këtij ligji nga presidenti Meta për rishqyrtim. Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero e pyetur në lidhje me kthimin e “antishpifjes” nga Meta duke e cilësuar antikushtetuese, tha se qeveria duhet të fokusohet në adresimet e bëra nga Këshilli Europian dhe t’i shtojë ato në paketë. KE shprehet se kjo përbën një rast për qeverinë shqiptare, për të pranuar rekomandimet e tij.
“Ne e kemi bërë të qartë se Bashkimi Europian mbështet rekomandimet e Këshillit të Europës në rastin e ligjit të medias në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet përkatëse janë sërish të vlefshme dhe ato duhen adresuar sërish. Faktin që presidenti i Shqipërisë ka kthyer ligjin në Parlament e shohim si një mundësi për t’i pranuar ato. Ne shpresojmë që kjo të realizohet”, tha Pisonero.
Në lidhje me vetërregullimin në sektorin e medias, KE tha se e mbështesin këtë dhe është një nga rekomandimet kryesore të Këshillit të Europës.
“Absolutisht që ne e mbështesim këtë. Ne mbështesim disa rekomandime të Këshillit të Europës jo vetëm për promovimin e vetëregullimit. Por ne e mbështesim qëllimin për ta kufizuar qëllimin e rregullimit vetëm për serviset e mediave audiovizive online, trajtimin gjyqësor të pavarur të ankesave lidhur me mediat, forcimin për transparencën e pronësisë së mediave në vend. Pra, ne mbështesim të gjitha rekomandimet e Këshillit të Europës. Ato janë në përputhje me pritshmërinë tonë, që duhet ndjekur nga një vend aspirant”, tha Pisonero.