Dule mbron Bejlerin

Më të fundit


Kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule përmes një deklarate për mediat ka marrë në mbrojtje Fredi Bejlerin, i cili është nën hetim për terrorizëm për sulmin e postës shqiptare në kufi me Greqinë në Gjirokastër në vitin 1994. Dule thotë se ‘riciklimi i kësaj çështjeje në shërbim të konsumit politik të ditës përmban elemente qe dëshmojnë se ka individë dhe grupime, në politikë dhe fatkeqësisht edhe në drejtësi që  synojnë të mbajnë të gjalla stereotipe dhe paragjykime – reminishenca të regjimit totalitar  ndaj anëtarëve të Minoritetit Etnik Grek, të krijojnë klimë represioni dhe pasigurie në radhët e tyre, të kultivojnë artificialisht frymë kundërvënieje etnike, duke cenuar bashkëjetesën harmonike’.

Dule kishte një mesazh edhe për drejtësinë. “Në mënyrë të veçantë i drejtohemi Drejtësisë që të mos bëhet pjesë e lojërave politike dhe të jetë institucionalisht më e vëmendshme ndaj gjuhës dhe akteve të urrejtjes etnike të manifestuara nga individë të veçantë deri edhe në grupime politike dhe media, ndaj të cilave deri tani ka demonstruar një tolerancë të papranueshme”, deklaroi ai.

Fredi Bejleri u mor në pyetje pak ditë më parë, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda rihapi dosjen e masakrës së Peshkëpisë duke marrë në pyetje Fredi Bejlerin, i cili ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremiste greke në 10 prill 1994 në Gjirokastër. Bejleri është një personazh i njohur si për drejtësinë dhe politikën, ndërsa i dënuar më parë për nxitje të urrejtjes nuk u kualifikua nga KQZ për të kandiduar për t’u bërë qytetari i parë i Himarës, pasi preket nga ligji i dekriminalizimit.



Skip to toolbar