Nga ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”, gjatë ditës së sotme kanë dalë në konferencë për shtyp dy lojtarë të kombtares U-21. Klenadro Lleshi dhe Aristidi Kolaj, ishin dy futbollistët që kanë folur, në prag të ty ndeshjeve të muajit qershor, asaj zyrtare me Turqinë dhe 2 ndeshjeve miqësore me Uellsin.
Të dy lojtarët ishin pjesë e grumbullimit provizor me Kombëtaren A, e drejtuar nga Edy Reja, duke treguar emocioniet e grumbullimit për herë të parë në ekipin A. “Mikpritja e grupit ishte shumë e mirë, u ndjeva shumë komod. Të gjithë ishin me dëshirë dhe lojtarët shumë pozitivë”.
“Sa i përket aktivizimit, i përket trajnerit unë kam për detyrë të stërvitem dhe të kryej detyrat që më takojnë, të tjerat ia lëmë kohës. Çdo gjë vjen me kohën, duke dhënë maksimumin tënd në çdo hap”, ka thënë futbollisti i Leganes B, që sezonin e ardhshëm pritet të debutojë në La Liga.
Shqipëria U-21 do të përballet me Turqinë në ndeshjen zyrtare, që do të zhvillohet në transfertë më 7 qershor. Mesfushori është shprehur se në këtë takim ekipi ynë do të synojë rezultat pozitiv. “Për ne ndeshja me Turqinë është shumë e rëndësishme pasi duhet të marrim rezultat, kjo vjen për arsye se kemi luajtur 2 ndeshje në këto eliminatore dhe nuk kemi marrë atë qe duhet sa i përket rezultatit”.
“Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme dhe shkojmë për fitore, pavarësisht kundërshtarit. Futbolli luhet 11 ndaj 11, ne kemi dhënë maksimumin por nuk kemi pasur edhe fatin me vete”, ka thënë mesfushori.
Në fund ai ka folur edhe për të ardhmen e tij, duke u shprehur se këtë sezon do të bashkohet me ekipin A të Leganes në La Liga. “Për momentin luaj me Leganes B por kontratën e kam me ekipin A, shpresoj shumë shpejt ti bashkohem, por është zgjedhje e trajnerit”, është shprehur Klenadro Lleshi.
Ndërsa futbollisti tjetër, Aristidi Kolaj u shpreh: “Ne jemi një skuadër kombëtare shumë e bashkuar dhe po shkojmë në ndeshjen e Turqisë, për të marrë një fitore. Në Itali luaj me ekipin e Sasuolos U-19, kam bërë mirë në kampionat dhe për tu stërvitur stërvitem me ekipin A. Jam grumbulluar edhe për ndeshje miqësore të kombëtares dhe jam ambjentuar me shokët e ekipit”.