Arrestimi i djeshëm i Salih Mustafës në ditët në vijim mund të shoqërohet edhe me arrestime të tjera.
Pas një dekade hetimesh intensive, dje, Prokuroria Speciale e Tribunalit të Hagës e ka bërë sefte, duke e realizuar arrestimin e parë, atë të Salih Mustafës, i njohur si Cali.
Prokuroria, në një njoftim për shtyp, ka treguar që z. Mustafa dyshohet që gjatë kohës së luftës, në një qendër të UÇK-së, në periferi të Prishtinës, ka marrë pjesë në ndalim dhe torturë të paligjshme të civilëve. Aty dyshohet që një person e ka humbur edhe jetën. Mustafa pas luftës ka qenë i angazhuar në TMK e më vonë edhe në FSK.
Gazeta Express ka mësuar, përmes burimeve të saj, që tash Prokuroria e Tribunalit Special nuk e ka ndërmend të ndalet. Këto burime thonë që në ditët në vijim mund të ketë arrestime të tjera të ish-ushtarëve të UÇK-së, që nuk kanë pasur pozita të larta.
Dihet tashmë që në muajin shkurt, Prokuroria e këtij Tribunali i kishte dorëzuar propozim-aktakuzat para gjyqtarëve, të cilët brenda gjashtë muajsh do të duhej t’i konfirmonin ose t’i hidhnin poshtë pretendimet e prokurorëve.
Ky afat ishte përmbushur në gjysmën e muajit gusht, kurse arrestimi i fundit është pjellë e atyre propozim-aktakuzave. Sigurisht që arrestimi i Calit nuk është dhe nuk mund të jetë i vetmi.
Përveç propozim-aktakuzave të muajit shkurt, Prokuroria i ka dorëzuar në muajin prill edhe disa propozim-aktakuza të tjera, ku përfshihen krerët e UÇK-së, duke përfshirë këtu presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, z. Kadri Veseli. Afat i fundit për konfirmimin ose jo të këtyre aktakuzave është muaji tetor ani pse ato mund të konfirmohen edhe më herët.
Java e fundit ka qenë përplot zhvillime në raport me Tribunalin. Shoqata e Veteranëve të Luftës ka vazhduar me publikimin e disa dosjeve që kanë rrjedhur prej Tribunalit. Një person i paidentifikuar ka dërguar në seli të Shoqatës mijëra faqe të dosjeve.