Ndahet nga jeta humoristi i njohur Muhamet Lika, i njohur si një nga parodistët e Vlorës. Muhamet Lika u nda nga jeta në moshën 65 vjeçare, pas problemeve me zemrën që kishte kohë që vuante.
Lika prej kohësh ndodhej në Itali për mjekim, por duket se nuk mundi ta fitonte këtë betejë me sëmundjen. Muhamet Lika numëron me qindra role në skenën e humorit shqiptar, ku ndër më të njohurit dhe të dashurit për publikun ishin skeçet me Parodistës e Vlorës.
Lika ishte vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”.
Presidenti Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të parodistit të Vlorës, duke thënë se Liko do të mbahet mend përjetë me humorin e tij.
“Me hidhërim mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej parodistëve më të dashur të Vlorës, Muhamet Liko. Ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të panumërt, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë. Mjeshtri i Madh i skenës, Muhamet Liko do të mbahet mend përherë për paroditë, skeçet, humorin karakteristik e rolet gazmore, nëpërmjet të cilave jo vetëm falte momente të pashlyera argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me plot mençuri plagët sociale të shoqërisë shqiptare. Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes dhe fëmijëve, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve të Tij. I paharruar do të mbetesh parodisti ynë i dashur!” – shkruan Meta