Sondazhet e opinionit kanë treguar një zhgënjim të publikut nga reforma në drejtësi. Kjo po shfrytëzohet nga armiqtë e reformës për të bërë propagandë anti-reformë, duke sulmuar në mënyra kryesisht të ulëta krerët e organeve të reja të drejtësisë dhe ambasadorët që e mbeshtesin dhe që janë garancia e saj. Sulmi ndaj kreut të ONM është vetëm njëri nga treguesit e betejës së dëshpëruar anti-reformë.
Nëse pritshmëria e publikut nga reforma nuk do të ishte zhgënjyese sot, kjo nuk do të ishte normale, pasi do të kishim të bënim me një publik që nuk mendon, por beson në mënyrë të verbër. Dyshimi i vazhdueshëm është i shëndetshëm dhe ndihmon që gjërat të ecin përpara. Nuk mund të ndodhte ndryshe me një reformë të votuar që në vitin 2016 e që sot (me pak përjashtime si çështja Llalla) ende nuk ka dhënë rezultatet që një popull i vjedhur prej tre dekadash pret. Madje jo vetëm që nuk ka rezultate, por edhe organet e reja po ngrihen me një vonesë ulëritëse. Gjykata Kushtetuese pritet të jetë funksionale brenda këtij viti nëse nuk do të ketë surpriza nga shkëlqesia e tij, presidenti i republikës. Por edhe nëse kjo realizohet, gjykata do të jetë formalisht funksionale, pasi me vetëm 6 anëtarë të propozuar nga dy krahë të ndryshëm politikë, arritja e shumicës së kërkuar prej 5 anëtarësh duket pothuajse e pamundur. Do të duhen edhe 3 anëtarët që vijnë nga gjykata e lartë për ta bërë kushtetuesen realisht funksionale, por edhe formimi i gjykatës së lartë po ecën tmerrësisht ngadalë. Qershia mbi tortë është Byroja Kombëtare e Hetimit, mosngritja e së cilës përveçse është e pakuptueshme, nuk ka deri tani asnjë shpjegim bindës për publikun për shkakun e vonesave.
Si shembull flagrant i dështimit të SPAK jepet mbyllja e hetimeve për dosjen e famshme 184. Mjafton vetëm një element për të vërtetuar se kjo është propagandë e pastër, pasi SPAK nuk ka tagër të hetojë abuzimet me zgjedhjet. Opozita u investua fuqishëm që hetimi i krimit zgjedhor nga SPAK të përfshihej në marrëveshjen e 5 qershorit. Nëse SPAK do ta kishte tagrin dhe bazën ligjore për të hetuar krimin zgjedhor përse opozita do të kërkonte përfshirjen e këtij elementi në marrëveshjen e 5 qershorit?
Të gjitha këto vonesa, vakume e paqartësi po shfrytëzohen më së miri nga ata që nuk duan që në Shqipëri të ketë një drejtësi të fortë e të pavarur. Televizione militante e portale që ‘’filmojnë zotin duke ecur mbi re’’ vazhdojnë propagandën.
Pse nuk po vihen përpara drejtësisë të korruptuarit?
Publiku në tërësi është i zhgënjyer nga rezultatet e reformës, por nëse do ta ndanim këtë publik sipas preferencave politike, arësyet përse ata janë të zhgënjyer janë të ndryshme.
Ajo pjesë e publikut që voton majtas është e zhgënjyer pse kjo reformë nuk po godet të korruptuarit që shpërthyen Gërdecin, që vodhën rrugën e kombit e që vranë në bulevard. Pjesa tjetër që voton djathtas është e zhgënjyer se përse reforma nuk godet së pari këta që janë në pushtet e që akuzohen për korrupsion në çështje si inceneratorët, unaza e madhe, vjedhja e votave etj. Të dyja palët kanë të drejtë. Çdo aferë e dyshimtë duhet hetuar dhe përgjegjësit duhen vënë përpara drejtësisë. Mirëpo kjo reformë, përveç vënies së drejtësisë ka edhe disa detyra të tjera.
Së pari goditja penale duhet të jetë e njëtrajtshme për të mos prishur balancat politike. Nëse reforma do të godiste njërin krah, duke e varrosur politikisht e duke i lënë fushën bosh krahut tjetër, këtu nuk do të flisnim më për drejtësi, por për goditje preferenciale politike, çka do të ishte skandaloze për shqiptarët dhe e papranueshme për ndërkombëtarët.
Pra që drejtësia të jetë vërtet drejtësi, kjo klasë politike e korruptuar duhet të goditet në mënyrë të njëtrajtshme e të balancuar. Vetëm atëherë gojët e liga nuk do të kenë çfarë të thonë dhe publiku nuk do të ndihet i zhgënjyer. Por që kjo të ndodhë, duhet marrë parasysh situata e korrupsionit në Shqipëri. Dosjet janë aq shumë sa nëse do të ishin tulla me to mund të ndërtoje pallate të tëra. A mund t’i kërkohet sot një strukture me një duzinë anëtarësh të hetojë korrupsionin 30 vjeçar në kaq pak kohë? Edhe me ngritjen e BKH-së koha e goditjes penale nuk duket të vijë në një të ardhme shumë të afërt. Një punë kolosale është për t’u bërë dhe kjo merr kohë. Është më mirë të presim, sesa të vëmë nën presion organet e reja të drejtësisë për të kryer hetime të shpejta e të paplota, çka mund të rezultojë fatale nesër në gjykatë. Drejtësia është delikate. Mjafton që një provë të konsiderohet si e marrë në mënyrë të paligjshme për të rrëzuar një proces të tërë.
Këto janë disa nga elementët që duhet të ketë marrë në konsideratë ambasadorja amerikane kur u përpoq të ulte disi pritshmëritë e publikut për rezultate të shpejta nga drejtësia e re, por pa humbur besimin në terma më afatgjatë.
‘’Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë.’’ –Yuri Kim.
