ungesën e plotë të sensit se politika e jashtme është pjesë e një nevoje për konsensus shoqëror; në krizën më të madhe u bë garë për “marrëveshje historike” në thonjëza, marrëveshje që në këtë fund të vitit vështirë të mbahen mend a të çojnë peshë.
Pandemia ka treguar se si të ishim në vitet nëntëdhjetë, shëndetësia e arsimi ende varen prej sakrificës së mjekut e infermieres, të mësuesit e të arsimtarit e jo siç do të duhej në radhë të parë prej funksioneve të institucioneve të shtetit.
Vendi ynë është i vetmi në Europë sot që nuk ka sistem të sigurimit shëndetësor.
Dhe vendi ynë është i pari në Europë për nga analfabetët funksionalë – produkt i një sistemi tmerrësisht të dobët arsimor.
Por, dhe, virusi ka nxjerrë në sipërfaqe sërish krizën themelore të vendit: shtetin e kapur. Në të, si në sistem feudal, konflikti politik nuk është konflikt idesh, por konflikt për kontrollin e resurseve. Resurse janë paratë publike, prokuroria e gjyqësia, ndërmarrjet publike. Çdo gjë që duhet të jetë e qytetarëve, është resurs për kontrollin e të cilit zhvillohet lufta.
Koronavirusi, po ashtu, ka nxjerrë në pah dobësitë e organizmit ndërkombëtar. Trupi ndërkombëtar, të cilit i përkasim natyrshëm, ai perëndimor, ka treguar mungesë uniteti dhe shkarje të plotë në objektiva. Një vend si ky yni, që është çliruar dhe pavarësuar falë unitetit transatlantik, e ka ndier më shumë se kushdo tjetër në kontinent këtë sëmundje transatlantike. Në diskursin publik kosovar, një pjesë e madhe e vitit është shpenzuar në konflikte leximi apo “leximi” të mesazheve: a thua çka po thotë Amerika, a thua duhet dëgjuar më shumë këtë apo atë?
E megjithatë, do lënë prapa zymtësinë e këtij viti.
Pra, tash, dy lajme të mira dhe një paralajmërim që mund të çojë te lajmi i tretë i mirë. Siç dimë, janë gjetur dy vaksina.
E para është për koronavirus dhe në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, nëse çdo gjë shkon si duhet, do të arrihet imuniteti i tufës. Do të jetojmë në një botë që e ka tejkaluar pandeminë dhe ka nxjerrë mësimet e nevojshme. Do të zbulojmë se si do të duket “normaliteti i ri”.
Vaksina e dytë është ajo për organizmin transatlantik. Këtë e kanë prodhuar zgjedhjet në Amerikë. Me ngulm demokratik, miliona qytetarë amerikanë kanë zhvilluar betejën që me votat e tyre ta prodhojnë vaksinën bazike që duhet ta shërojë trupin dikur të shëndoshë të marrëdhënieve mes Amerikës dhe Bashkimit Europian. Sepse, përderisa ndonjëra prej anëtarëve të BE-së mund të “sëmuret”, marrëdhëniet transatlantike rezistojnë me shëndet deri në momentin e shërimit. Por, kur kemi sëmundje të atillë të politikës amerikane, çfarë është përjetuar në katër vjetët e fundit, atëherë këtë e ndiejnë të gjithë në Perëndim, përfshirë dhe ne, aspirantët e kësaj bote.
Që të dyja këto vaksina janë shumë të nevojshme për trupin e sëmurë të Kosovës. Që të dyja po vijnë apo do të vijnë nga jashtë; ato nuk janë fryt i përpjekjes kosovare.
Por, vaksina e tretë, ajo që duhet të shërojë organizmin kosovar nga kapja e shtetit, nga mungesa e unitetit politik, nga mosdefinimi i përparësive të ecjes së vendit në ekonomi, shëndetësi e arsim, nuk do të vijë nga jashtë.
Ajo mund dhe duhet të prodhohet brenda vendit. Dhe nëse bëhet, nuk do të jetë në një laborator shkencor. Mund të jetë produkt i një vale ndryshimesh demokratike që duhet ta kaplojnë vendin. E, valët, para partive politike, akademive, qendrave të mendimit e shoqërisë civile, fillojnë te qytetari. Ai që lexon.
*Nga fjalimi për manifestimin “Rexhai Surroi 2020”, këtë vit, të organizuar në formë virtuale.
