Juglindja dhe jugu i vendit u goditë mëngjesin e kësaj të shtune nga një seri tërmetesh, të cilët kanë shkaktuar dëme materiale në disa fshatra të qarkut të Korçës. Zona më e prekur ka qenë fshati Floq në Korçë, aty ku dhe mendohet se ka qenë epiqendra e tërmetit. RealStory.al pati një komunikim me kryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, i cili u shpreh se deri më tani janë 45-50 shtëpi të dëmtuara, në të cilat aktualisht nuk mund të banohet.
“Dëmtimet kryesore janë në fshatin Floq, ku ka qenë dhe epiqendra. Atje ka rreth 45-50 shtëpi të dëmtuara. Janë lënduar dy persona, të cilët kanë marrë mjekimet dhe janë rikthyer në fshat. Aktualisht situata nuk ka një vlerësim përfundimtar, por janë këto shtëpi që thashë, të cilat janë të pabanueshme”, tha Filo.
Në këto kushte, bashkia e Korçës ka nisur punën në terren, fillimisht për të siguruar strehim të përkohshëm dhe ushqim për banorët e prekur nga dëmtimi i shtëpive. “Po marim masa për të krijuar një zgjidhje alternative për strehimin e përkohshëm, duke vendosur çadra dhe duke siguruar mbështetje për ushqime”, tha kryebashkiaku i Korçës.
Në fund ai thekson, se pas kësaj situate do të ngrihet një grup pune për vlerësimin e dëmeve, ndërsa shton se në qytetin e Korçës dëmet nuk kanë qenë të rënda. “Ne donim që të ngrinim një grup pune që sot, por me kërkesën e banorëve do të bëhet më vonë, sapo të sistemohen banorët. Në qytet ka dëmtime, por jantë dëmtime të vogla; plasaritje muresh, rënie e ndonjë oxhaku apo ndonjë çati në ndonjë objekt i vjetër i pabanuar”, tha Sotiraq Filo.
Nga Julian Hoxhaj