Omerta është një term siçilian që definon heshtjen totale në lidhje me mafian dhe me çdo aktivitet kriminal të saj. Nëse mafia pati sukses për disa dhjetvjeçarë në Itali, ky sukses i detyrohet kryesisht heshtjes. Krimet ndodhnin ndonjëherë dhe haptazi ditën për diell, por askush nuk guxonte të fliste. Asgjë nuk ndëshkonte mafia më shumë e më egër sesa thyerjen e kodit të heshtjes. Parimi ishte ‘’mafia non esiste’’ (mafia nuk ekziston). Heshtjej në Palermo, heshtej në Romë, heshtej në media. Rezultati ishte një Itali nën thundrën dhe terrorin e mafias.
Por omerta e tejkalon mafian. Shumë shoqëri heshtin për skandalet që ndodhin në gjirin e tyre. Mes mjekëve dihet kush merr para, por kolegët nuk flasin. Mes magjistraëve dihej edhe përpara vetingut se kush ishte i korruptuar, por denoncimet nuk erdhën asnjëherë nga kolegët. E përveç kësaj, sado prova të kishte kundra një kolegu të korruptuar, ai kurrë nuk dënohej. Dihet çfarë po ndodh me hipotekën e Vlorës, por të gjithë heshtin. Heshtin drejtorët që dorëhiqen me shkaqe të paqena për të mos mbajtur mbi supe masakrat mbi pronën. Heshtin ata që ende punojnë atje. Hesht shteti, hesht prokuroria, hesht media. Këta janë vetëm disa nga moria e shembujve ku heshtja është ulëritëse.
Një minorene 15 vjeçare abuzohej seksualisht nga roja i shkollës dhe nga persona të tjerë. Megjithëse duhet përshëndetur reagimi i organeve të drejtësisë, ku si rrallëherë fajtori mori një dënim shembullor në një kohë rekord, krimin e dinin të gjithë në kohën që ai ndodhte. Video të turpshme ishin shpërndarë në komunitet, por të gjithë heshtnin. Megjithatë edhe këtu ka vend për kritikë. Por nëse shkojmë deri aty sa të themi se duhet të kishte të dënuar edhe ndër ata që heshtnin duke qenë në dijeni të krimit, rrezikojmë të dukemi shumë nordikë.
Kjo ndodh edhe në vende të zhvilluara. Së fundmi në Francë po zhvillohet një proces kundra një artisti të njohur pedofil. Gazeta Le Monde raporton se ai ishte i njohur për prirjet e tij pedofile. Ai rrethohej shpesh nga minorenë, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me rrethin apo punën e tij. Thashethemet vlonin në botën e artit, por askush nuk fliste. Si mund të ngresh zërin kundra një artisti të njohur kur nuk ke prova? E megjithatë nëse dikush do të kishte denoncuar aktivitetin e tij kriminal, provat me siguri do të gjeheshin thotë një hetues. Mirëpo falë kësaj heshtje kompromentuese Claude Lévêque e vazhdoi aktivitetin e tij kriminal për vite të tëra.
Në një emision të premten mbrëma moderatori i kërkoi me ngulm njërit prej panelistëve të mos thoshte emra personash që vinin gjoba në lidhje me pronat. Jo se ky është një fenomen që ndodhi vetëm në atë studio dhe nuk ka ndodhur askund tjetër. Në median shqiptare shpesh heshtet dhe për gjëra që dihen botërisht. Por kur heshtja sugjerohet me zë të lartë dhe me argumentin se këtu askush nuk të mbron, është shumë e shëmtuar. Çfarë do të mendojë një qytetar i thjeshtë kur një moderator i njohur shpreh frikë publikisht dhe thotë se ai as që ka ndërmend të kontribuojë që ky vend të bëhet?
Çfarë mund të konsiderohet kjo përveçse një lloj omerta mediatike?
Në median shqiptare ka lista gazetarësh të paguar nga partitë politike. Në një shkrim replikë mes një moderatori të njohur dhe një analisti, moderatori thoshte se ne të dy e dimë që ekziston një listë gazetarësh që paguhen me rrogë mujore nga LSI. E megjithë këtë deklaratë skandaloze asnjëri prej tyre nuk foli as përpara e as pas shkrimit. Këto lloj ‘’informacionesh’’ dalin për publikun në rast sherri mes gazetarëve kur ata bëjnë shkrime kundra njëri-tjetrit në media, por fenomeni është i rrallë.
Nuk ka gjë më të shëmtuar se heshtja kur je në dijeni të një krimi apo skandali. Logjika ‘’pse unë’’ është logjikë e mjerë leshkosh. Të heshtësh në dijeni të një krimi ti nuk je vetëm leshko, je edhe bashkëpunëtor në krim dhe këtë e dënon edhe ligji.
Por fatmirësisht shembujt pozitivë nuk mungojnë dhe për këtë nuk kemi nevojë të shkojmë në Itali për të gjetur Roberto Savianon. Si do të ishte bota e krimit sot dhe sa informacion do të kishte publiku nëse gazetarë si Artan Hoxha e Klodi Lala do të kishin zgjedhur të heshtnin? Me gjithë rreziqet që kjo sjell ata kanë ngritur zërin e kanë denoncuar me kurajo aktivitetet kriminale edhe kur ato kanë pasur suport politik. Klodi Lalës i qëlluan me breshëri në shtëpinë e prindërve e në prezencë të fëmijëve të saj, por gojën nuk ia mbyllën dot.
Zbardhja e krimit shtetëror të 21 janarit nuk do të ishte e mundur pa profesionalizmin dhe kurajon e Artan Hoxhës. ‘’Blloku’’ i ish numrit dy të qeverisë Berisha (sot president) nuk do të ishte bërë publik pa kurajon e gazetarëve dhe drejtuesve të emisionit investigativ Fiks Fare.
Ne si shoqëri kemi nevojë për shembuj të tillë dhe duhet të rrefuzojmë me përbuzje skena të shëmtuara si ajo e së premtes mbrëma.
Hillari Klinton do të deklaronte në Kuvendin e Shqipërisë se ‘’Liria dhe përparimi nuk kanë ardhur nga heshtja’’.
