A do rikthehet mësimi online? Ministrja e Arsimit zbulon skenarët e përgatitur

AKTUALITET


Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, gjatë mbledhjes së Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ditën e sotme, zbuloi tre skenarët të cilët janë parashikuar nga institucioni që ajo drejton për vijueshmërinë e mësimit këtë vit akademik. 

Ministrja theksoi se në bazë të situatës së pandemisë në vend, Ministria e Arsimit ka përgatitur tre skenarët e mëposhtëm:


1 – Skenarin me prezencë fizike, i cili po aplikohet aktualisht.
2 – Skenarin e alternuar
3 – Skenarin e mësimit online.

Sipas ministres, skenari i mësimit online nuk do të aplikohet sipas parashikimeve të bëra, kjo për shkak dhe të vaksinimit të 90% të mësuesve.

“Të gjithë ishim të papërgatitur nga pandemia. Kur ra karantina Ministria e Arsimit hapi në mënyrë të menjëhershme kanalin RTSH shkolla. Reagimi ka qenë i menjëhershëm.  Tani dua të kaloj te skenarët që ne kemi përgatitur për këtë vit shkollor. Në varësi të situatës së pandemisë dhe vendimeve të Komitetit të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë ne kemi parashikuar tre skenarë.

Skenarin e mësimit në prezencë fizike, i cili po aplikohet sot. Skenari i dytë është skenari i kombinuar dhe skenari i tretë i cili është më i vështiri është ai i mësimit online. Unë besoj se ne nuk do të arrijmë në skenarin më të vështirë të mësimit online dhe as në atë të kombinuar edhe për shkak të vaksinimit të mësuesve. Rreth 90% e mësuesve që sot janë në sistemin tonë para universitar janë sot të vaksinuar, pjesa më e madhe rreth 70% me dy doza ndërsa pjesa tjetër me një dozë. 10% të cilët nuk janë të vaksinuar ose e kanë kaluar Covidin, ose kanë një raport nga mjeku që nuk mund ta kryejnë vaksinën. Në përgjithësi procesi i vaksinimit të mësuesve ka ecur me ritme të mira dhe na bën që të jemi optimist që nuk do të shkojmë në skenarin e tretë. Megjithatë ne jemi të përgatitur për të tre skenarët. Kemi kanalin e dedikuar RTSH shkolla i cili përveç orëve mësimore për të gjitha lëndët dhe për të gjitha klasat që i kemi të regjistruara nga viti kaluar, gjithashtu ka dhe programe argëtuese, kreative dhe kulturore për fëmijët për të patur një paketë të plotë.

Ndërkohë që kemi dhe platformën online akademi.al në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve falas, si dhe kemi programin në youtube të ministrisë i cili transmeton të gjitha lëndët dhe orët. Po kështu vazhdon në mënyrë të pandërprerë trajnimi për aftësitë digjitale të mësuesve tanë. Është bërë një punë kolosale në këtë drejtim. Tashmë mësuesit tanë sot janë shumë më tepër të aftë të përdorin programe për sa i përket mësimit online”, tha Kushi.




Skip to toolbar