A po ndan Kina informacion të mjaftueshëm mbi përhapjen e Covid 19?

BOTA


Ndërsa Covid 19 vijon të përhapet në të gjithë Kinën, një sërë vendesh dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë po i bëjnë thirrje Pekinit të ndajë më shumë informacion. Disa prej shifrave të raportuara janë cilësuar si pa vlerë.

Në mungesë të të dhënave mbi numrin e vdekjeve, infeksioneve dhe rasteve të rënda, qeveritë kanë vendosur kërkesat për testim ndaj Covid19 për udhëtarët nga Kina. Pekini ka thënë se masat nuk kanë asnjë bazë shkencore dhe ka kërcënuar se do kundërpërgjigjet duke vendosur masa.


Shqetësimi më i madh është nëse do të ketë variante të reja për shkak të infeksionit masiv që po shpaloset në Kinë të cilat mund të përhapeshin në vende të tjera. Variantet e Delta dhe Omicron u zhvilluan në vende që gjithashtu patën infeksione të mëdha e që mund të jenë një terren shumimi për variante të reja.

Autoritetet shëndetësore kineze publikojnë numrin e rasteve të reja për një ditë, rastet e rënda dhe vdekjet, por këto shifra përfshijnë vetëm raste të konfirmuara zyrtarisht dhe përdorin një përkufizim shumë të ngushtë të vdekjeve të lidhura me Covid.

“Kina me siguri po bën studimet e veta, por nuk po ndan të dhënat”, tha Rei Jip, i cili themeloi zyrën për Kinën të Qendrës Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve.

Të enjten në gjithë vendin pati 9,548 raste të reja dhe pesë vdekje, por disa autoritete lokale po raportojnë të dhëna shumë më të larta në zonat e tyre. Zhejiang, një provincë në bregun lindor, tha të martën se po po përballej me 1 milion raste të reja në ditë.

Ekzistenca e një varianti të ri zbulohet përmes sekuencës gjenetike të virusit.

Që prej shpërthimit të pandemisë Kina ka ndarë 4,144 sekuenca gjenetike në platformën botërore për të dhënat e koronavirusit, GISAID. Kjo shifër përbën vetëm 0.04% të rasteve të reja ditore, një shifër 100 herë me e ulët se Shtetet e Bashkuara dhe 4 herë më e ulët se vendi fqinj, Mongolia.

Deri tani, asnjë variant i ri nuk është shfaqur në sekuencat gjenetike që ka ndarë Kina. “Variantet që po shtojnë infeksionet në Kinë ‘ngjajnë shumë’ me ato që janë parë në pjesë të tjera të botës që nga korriku”, tha GISAID. Doktor Gagandeep Kangi cili studion viruset në Kolegjin e Krishterë Mjekësor të Vellores në Indi, pajtohet duke thënë se nuk ka asgjë veçanërisht shqetësuese në të dhënat e deritanishme.

Por kjo nuk ka penguar të paktën 10 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Japoninë, Korenë e Jugut, Indinë, Australinë, SHBA- në, Francën, Spanjën dhe Italinë që t’u kërkojnë testimin për Covid 19 udhëtarëve nga Kina.

Bashkimi Evropian inkurajoi fuqishëm të gjitha vendet anëtare të saj që të bëjnë të njëjtën gjë gjatë kësaj jave.

Zyrtarët e shëndetësisë e kanë mbrojtur testimin si një masë që ndihmon përballë boshllëkut të informimit nga autoritetet kineze. Kjo do të thotë se vendet mund të lexojnë çdo ndryshim të virusit nëpërmjet testimeve, edhe nëse nuk kanë të dhëna të plota nga Kina.

Kanadaja dhe Belgjika thanë se do të kërkojnë grimca virale në ujërat e zeza në avionët që mbërrijnë nga Kina.

“Është si një sistem paralajmërues i hershëm për autoritetet që të parashikojnë nëse do ketë rritje të infeksioneve,” tha doktor Khoo Yoong Khean, një zyrtar shkencor në Qendrën Duke-NUS për Përgatitjen e Epidemive në Singapor.

Zyrtarët kinezë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se po ndajnë informacion, duke treguar sekuencat gjenetike që i janë dhënë GISAID-it dhe takimet me OBSH-në.

Por zyrtarët e OBSH – së kanë kërkuar vazhdimisht më shumë të dhëna jo vetëm për sekuancat gjenetike, por edhe për nurmin e të shtruarve dhe vdekjeve. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus shprehu shqetësim këtë javë rreth rrezikut për jetën në Kinë.

Qeveria kineze shpesh nuk informon popullin e saj, veçanërisht mbi çështje që kanë përmbajtje negative ndaj Partisë Komuniste në pushtet.

Mediat shtetërore kanë qëndruar larg raportimeve për rritjen e numrit të qytetarëve që po digjen (pas vdekjes) si edhe raportimet për njerëz që vrapojnë sa në një spital në tjetrin në përpjekje për t’u kuruar ndërsa sistemi shëndetësor është jashtë kapaciteteve. Zyrtarët qeveritarë kanë akuzuar mediat e huaja për ekzagjerim të situatës./VOA




Skip to toolbar