Aleatët e Bashës dhe LSI nuk i janë drejtuar KQZ-së të hënën për të regjistruar partitë e tyre në zgjedhjet e datës 13 tetor, pavarësisht se kishin deklaruar se do ta bënin një gjë të tillë. Ata kishin njoftuar se do të regjistroheshin ditën e hënë në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit të dekretuara nga presidenti Ilir Meta, por as LSI dhe as PR dhe PAA nuk do të paraqesin kërkesë në KQZ për t’u regjistruar, ndonëse dita e hënë (5 gusht) është edhe afati i fundit.
Shkak i këtij vendimi të aleatëve të Bashës është se KQZ nuk ka marrë ende një vendim rreth kërkesës së drejtuar prej tyre për nisjen e procedurave nga Komisioni për procesin e zgjedhjeve.
Aleatët e PD-së i kërkuan KQZ-së që të nisë procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor, por mbledhja e së shtunës dështoi për shkak se anëtarët e PS-së në KQZ nuk morën pjesë në mbledhje me argumentin se janë me leje vjetore. I vetëm u paraqit vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri i cili për mungesë kuorimi e cilësoi mbledhjen të mbyllur, pa marrë në shqyrtim kërkesën e partive aleate të PD-së. Bazuar në Kodin Zgjedhor partitë duhet të regjistrohen në zgjedhje 70 para datës së zhvillimit të tyre, afat ky që përfundon sot. Megjithëse data 13 tetor është një datë e rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor në argumentet e dhëna për dekretin e Metës për 30 qershorin. Të njëjtat argumente vlejnë edhe për dekretin për 13 tetorin, pasi që të dy dekretet janë marrë përtej afateve kushtetuese dhe në kundërshtim me kompetencat që kushtetuta i njeh presidentit. Ligjërisht nuk ka zgjedhje në 13 tetor.