Dialogu, shfaqet Kryemadhi, thumbon Bashën: Lider është ai që sakrifikon për grupin

AKTUALITET


Monika Kryemadhi është shfaqur publikisht për herë të parë që prej mesit të muajti korrik, ku ndali aktivitetin e saj politik, duke mos komentuar asnjë zhvillim të aktualitetit. Kryetarja e LSI ka marrë pjesë në kampin e të rinjve të LSI, që zhvillohet në Jalë. Ajo ka folur para të rinjve, duke mbajtur një fjalim me doza të ulëta politike, por pa shmangur mesazhet për PD dhe PS. Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi u shpreh se ‘këto kanë qenë ditë të vështira’, duke u kërkuar të rinjve ndryshimin e gjendjes.

“Këto ditë kanë qenë ditë të vështira për LSI, për PD, për opozitën, për qeverinë, institucionet. Por ta dini se më shumë po vuajnë shqiptarët. Ne dhe ju si të rinj keni përgjegjësi për të ndryshuar gjendjen. Kjo që po bëjmë është përballë krimit të organizuar ndërkombëtar. Sigurisht që sfida është shumë e vështirë, por forca, idealizmi juaj është shumë më i fortë sesa makutëria e qeverisjes sonë”, tha ndër të tjera Kryemadhi”, u shpreh Kryemadhi.


Ndërkohë, ndër rreshta gjatë fjalimit të saj, Kryemadhi ka përcjell edhe mesazhe për kreun e PD, që deri më tani nuk ka pranuar të dialogojë me qeverinë dhe kryeministrin Rama, për t`i dhënë fund krizës. Kryemadhi, partia e së cilës, por dhe ajo vetë, kanë shprehur qëndrime të kundërta nga Basha pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar zgjidhje të krizës nëpërmjet dialogut. Ndaj, në fjalimin përballë të rinjve, Kryemadhi u shpreh se ‘lider është ai që sakrifikon nga vetja për grupin’.

“LSI theu monopolin e dy partive të mëdha. Ne u rritëm me hapa të përditshëm. Kemi kaluar momente dhe sfida të vështira. Lider është ai që sakrifikon nga vetja për shoqërinë dhe grupin. Ky ka qenë misioni i kampit të LSI. Ne kampin e LSI e përmirësuam edhe më tej. Është puna në grup ajo që i jep shansin dhe mundësive njerëzve.”, tha Kryemadhi. Në këtë mesazh, më shumë se sa drejtuar të rinjve, Kryemadhi duket se i tregon Bashës se duhet të ‘sakrifikojë për grupin’. Në fakt, grupi janë të gjitha partitë aleate, që ndryshe nga kreu i PD, kanë kërkuar dialog dhe ulje në tavolinë me Ramën, për t`i dhënë fund krizës politike.




Skip to toolbar