Akuzat e PD, Babani: Jam personi më transparent në botë

AKTUALITET


Pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike, që i kërkonte Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e figurës së kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, ka ardhur dhe reagimi i kryebashkiakut socialist. Në një prononcim për Report Tv, Babani është shprehur se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar. Ai ka treguar fillimet e periudhës së emigrimit, nga puna në fabrikën e peshkut deri te puna në hotel, duke u shprehur se asnjëherë nuk është ndaluar nga policia apo të ketë ndërruar emrin.

“Kam luftuar gjithë jetën të jem krenar, të bëj veten e familjen dhe vendin tim. Jam i gatshëm të përballem me këdo, është turp i atyre që hedhin këtë lloj ideje ndaj meje pa asnjë motiv. Unë kam ikur më 6 mars 1991 në Itali, fati na çoi në Siçili ku kam jetuar në një kamp dy muaj deri sa u shpërndamë dhe në fund të vitit 1991 deri në vitin 1994 kam punuar në një fabrikë peshku. Pastaj kam punuar në një hotel deri në `95. Me këtë firmën që kam punuar, kemi bërë një shoqëri të përbashkët në Shqipëri, ndërmarrja dhe sot ka marrë përmasa të mëdha, eksportojmë prodhimet tona në të gjithë botën. Asnjëherë në jetëm time nuk kam pasur ndonjë ndalesë nga policia, nuk kam ndërruar as emrin”, ka thënë Babani.

Më tej, Mark Babani ka sqaruar edhe një detaj tjetër, atë të mbiemrit, nga Babani në Babaj. Sipas tij, kjo ngatërresë është bërë në gjendjen civile, ndërsa ai shprehet se është i datëlindjes 24 dhjetor 1966, por është rregjistruar në gjendje civile në 8 janar të vitit 1967. “Kam lindur më 24 dhjetor 1966 dhe jam regjistruar më 8 janar 1967. Në diplomë e kam në `66. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1993 dhe kemi marrë pasaportat e para, me mbiemrin Babaj, por në shkollë e kam pasur Babani. Dhe unë kam marrë pasaportën Mark Babani 8 janar 1967. Nuk kam pasur në jetën time të bëj me asgjë, kam qenë me leje qëndrimi deri në vitin 2003. Në këtë vit nuk kisha mundësi të ikja se po ndërtoja fabrikën e re. Unë kam hyrë e kam dalë në Itali dhe Evropë, dhe në të gjithë botën”, shprehet Babani.

Më tej, ai ka sqaruar edhe rastin e Maqedonisë së Veriut, ku përsëri ka sqaruar se ka shkuar disa herë në këtë shtet. “Maqedonia s`ka lidhje absolutisht, kam qenë 4 herë. Një herë për punët e mia në vitet e para. Vjet në Maqedoni kisha ftesë të ministrisë për investim atje, menduam të zgjeronim aktivitetin në këtë vend. Asnjë lloj problemi, janë trillime. Turp të kenë ata që bëjnë trillime për figurën time. Figura ime është e pastër, këto që po them këtu do t`i them gjithkund, pjesa ime është e verifikueshme se unë jam person që lëviz, jam personi më transparent që mund të ketë bota”, ka thënë Mark Babani.



Skip to toolbar