Akuzat e PD për Dibrën, gati paditë për Bashën dhe Gjunkshin

Më të fundit


Akuzat e hedhura nga kreu i PD-së, Luzlim Basha dhe ish deputeti i PD-së Xhemal Gjunkshi, ditën e mërkurës, se në Dibër janë duke u blerë vota dhe se janë shpërndarë armë në qytet duket se do t’i kushtojë të dyve. Ministra e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Policia e Shtetit, kanë vendosur që t’i padisin për shpifje  dhe t’i nxjerrin para gjykatës.

Basha tha se Ministrja e Mbrojtjes se është duke blerë vota në Dibër, duke shpërndarë para me makinat e ushtrisë me targa false. Përmes një deklarate në Facebook, ministrja Xhaçka bëri të qartë se çdo shpifje ka një çmim dhe Basha do të mbajë përgjegjësi për këtë.

“Që Lulzim Basha nuk i mendon e as i kupton pasojat e veprimeve që bën, këtë e mësuam të gjithë, ditën që dogji mandatet dhe e la PD rrugëve. Por, le ta mësojë që veprimet kanë kosto, shpifjet kanë një çmim, kur të shkojë përpara gjykatës për të sqaruar llumin që nxjerr nga goja.”  –  shkruan Xhaçka

Të njëjtat akuza i hodhi edhe ish deputeti  i PD-së Xhemal Gjunkshi, ku aludonte se Policia e Dibrës ka shpërndarë armë në qytet. Në rastin e tij, padia do të bëhet nga Policia e Shtetit, e cila i ka cilësuar fake news dhe do të përballet me Gjunkshin në gjykatë.

“Kjo deklaratë është krejtësisht një shpifje e ulët dhe plotësisht e fabrikuar. Policia e Shtetit e hedh poshtë me përbuzje një deklarim të tillë, që në fakt të vetmin reagim që meriton është padia ndaj deklaruesit Gjunkshi në gjykatë. Aty ai do të duhet që përpara ligjit të sqarojë motivet e kësaj insinuate të ulët.” –  shkruhet në reagimin e Policisë.



Skip to toolbar