KLP nis shqyrtimin për Prokurorin Arian Ndoja

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur hetimin e pasurisë së prokurorit të Durrësit Arian Ndoja pas akuzave të kryeministrit Rama dhe zëvendës kryeministrit Braçe se ai bashkëpunon me organizatat kriminale. Prokurori i Durrësit u vu në qendër të kritikave pas lajmit për dënimin me burg të kreut të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula. Zëvendëskryeministri Erjon Braçe e cilësoi vendimin  të padrejtë, të marrë pa u bazuar në prova por vetëm në denoncimin e një personi anonim, i cili në asnjë rast nuk përmend emrin e Pulës si përgjegjës për tjetërsim pronash në zonën e bregdetit. Nisur nga këto akuza, KLP ka filluar shqyrtimin e çështjes për të verifikuar nëse prokurori Ndoja ka bërë ose jo shkelje ligjore.

Edhe gjatë ditës së hënë kryeministri Rama e risolli në vëmendje rastin e prokurorit Ndoja duke thënë se prokurorët apo gjykatësit si ai, herët apo vonë do të dalin para drejtësisë për të dhënë llogari për gjithçka kanë bërë.


Prokurori Arian Ndoja ishte në seancën gjyqësore, ku Gjykata e Durrësit vendosi masë sigurie “arrest me burg” për Liridon Pulën. Sipas Braçes, është  presion kriminal mbi drejtuesin e Kadastrës në Durrës, për shkak se Pula nuk ka pranuar të legalizojë pallate monstruozë, siç i quajti zv.kryeministri, pavarësisht se ka qenë nën presionin e banditëve që grabisin prona në zonën bregdetare të Durrësit dhe mbështeten nga prokurorë dhe gjyqtarë.




Skip to toolbar