Albi Xhunga: Anti-amerikanët e bulevardit

Më të fundit


Një sondazh i publikuar së fundmi nga Euronews Albania mbi bazën imagjinare të një konflikti eventual mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, tregon se shumica e shqiptarëve do të pozicionoheshin pro BE-së. Ky sondazh me doza të mëdha absurdi ngjalli entuziazëm tek disa portale pseudo-sovraniste, të cilët e interpretuan si një rënie të pro-amerikanizmit në Shqipëri, duke aluduar se kjo tendencë mund të jetë e lidhur me qëndrimet dhe politikat e ambasadës amerikane në Tiranë (duke vazhduar përpjekjen e kahershme për ta paraqitur ambasadën si diçka të shkëputur nga Departamenti i Shtetit). Është e njëjta këngë dhe të njëjtët interpretues që kanë qenë kundërshtarë të hapur të reformës në drejtësi dhe këmbënguljes amerikane në instalimin e shtetit të së drejtës në një vend si Shqipëria ku gëlon korrupsioni.

Absurdi në sondazhin e publikuar nga Euronews Albania qëndron në faktin se hidhet hipoteza e një konflikti të paimagjinueshëm në gjirin e qytetërimit perëndimor. Aleanca SHBA-BE, e cila sot dominon bindshëm skenën ndërkombëtare, do të defaktorizohej nga ky skenar duke i liruar vendin në skenë fuqive të reja si Kina.  Imagjinata e autorëve të sondazhit nuk merr parasysh faktin se megjithëse që pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot ka pasur me qindra, ndoshta mijëra çështje që kanë sjellë përplasje mes Amerikës dhe partnerëve të saj europianë, asnjëherë aleanca perëndimore nuk është vënë në diskutim. Amerikanët dhe europianët kanë ditur të tejkalojnë çdo krizë për të qenë përkrah njëri-tjetrit në sfidat e mëdha me të cilat është përballur qytetërimi perëndimor, si Nazizmi, Komunizmi, Terrorizmi, krizat ekonomike, etj. Shembulli më i fundit është ai i krizës së nëndetëseve, çka u përjetua si tragjedi dhe poshtërim kombëtar në Francë, por në asnjë moment nuk vuri në diskutim partneritetin e Francës me SHBA-të. Ndaj hipoteza e një përplasjeje e SHBA me BE ku të tretët do të duhej të zgjidhnin kampin e tyre është më shumë se absurde. 


Së pari duhet sqaruar se fakti që kjo shumicë e shqiptarëve që do të rreshtohej pro BE-së në rast të një konflikti mes kontinentit të vjetër dhe Amerikës nuk do të thotë aspak se kemi të bëjmë me anti-amerikanë, apo me rënie të pro-amerikanizmit në Shqipëri, siç tentojnë ta interpretojnë disa portale që nuk dihet nga financohen e nuk dihet për kë punojnë. Nëse dikush zgjedh Europën nuk do të thotë se ai nuk e do Amerikën.

Së dyti lind pyetja se kujt i shërben ky sondazh? Çfarë mëton të tregojë? Ndryshe do të ishte puna po të sondohej opinioni publik mbi qëndrimet pro-perëndimore. Ndoshta do të ishte mirë të dinim se sa pro-rusë, sa pro-kinzëe ka në Shqipëri. Por t’i vësh shqiptarët përpara një zgjedhjeje mes aleatësh është një ide sa absurd aq edhe malinje.

Pa përkrahjen amerikane Shqipëria ndoshta do të ishte copëtuar në Konferencën e Paqes së Parisit. Pa përkrahjen amerikane Kosova nuk do të ishte sot një shtet i pavarur. Pa përkrahjen amerikane Shqipëria nuk do të ishte sot Anëtare e NATO-s. Shqiptarët nuk janë pro-amerikanë si pasojë e një dashurie të verbër për aleatin e madh. Shqiptarët janë pro-amerikanë sepse sot të jesh i tillë nuk është thjesht provë e mirënjohjes për çfarë SHBA-të kanë bërë për këtë komb, por sepse sot të jesh pro-amerikan do të thotë të jesh pro kombit tënd. Në Shqipëri ka anti-amerikanë. Janë në numër të vogël, por janë prezentë në shoqërinë shqiptare. I gjen kryesisht në Tiranën bulevardeske dhe në debatet televizive. Nuk dalin hapur, sepse e dinë mirë se publiku nuk do t’i pranonte. Këta janë të korruptuarit e mëdhenj, shërbëtorët e tyre mediatikë dhe disa trutharë që manipulohen nga idetë pseudo-sovraniste. Mjaftoi një sondazh absurd që anti-amerikanët e kamufluar si sovranistë të Tiranës bulevardeske të dalin zbuluar.




Skip to toolbar